Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se eksporti i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT) është pesëfishuar gjatë pesë vjetëve të fundit, ndërsa aktualisht ky sektor përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).
Kurti i ka bërë këto deklarata në prag të edicionit të 15-të të KosICT, i cili zhvillohet sot dhe nesër, ku mbrëmë ka marrë pjesë në pritjen e organizuar para kësaj ngjarjeje.
Në këtë aktivitet, ai është takuar me përfaqësues të Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), pjesëtarë të komunitetit të teknologjisë, ndërmarrës dhe partnerë ndërkombëtarë.
Sipas Kurtit, kompanitë kosovare të teknologjisë po zhvillojnë dhe ofrojnë zgjidhje për tregjet ndërkombëtare, duke dëshmuar potencialin e vendit në talent, kreativitet dhe ndërmarrësi.
Ai ka theksuar se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë potencial për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar mundësi të reja për qytetarët.
Kryeministri ka bërë të ditur se Qeveria mbetet e përkushtuar për investime në infrastrukturën digjitale, modernizimin e shërbimeve publike, forcimin e edukimit digjital dhe krijimin e kushteve më të mira për inovacion dhe ndërmarrësi.
“Po punojmë që potencialin e jashtëzakonshëm të Kosovës ta kthejmë në zhvillim për shtetin dhe mirëqenie për qytetarët”, ka deklaruar Kurti.
KosICT, që këtë vit shënon edicionin e 15-të, synon të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e ideve, zhvillimin e inovacionit dhe krijimin e partneriteteve ndërmjet komunitetit të teknologjisë në Kosovë dhe atij ndërkombëtar./teve1.info/







