Superliga e Kosovës në basketboll, do të vazhdojë me xhiron e katërt që do të luhet këtë vikend.
Prej katër ndeshjeve të kësaj xhiroje, dy do të zhvillohen të shtunën dhe dy të tjera të dielën, ku të gjitha pritet të jenë interesante.
Ndeshja që hap xhiron e katërt, do të jetë ajo ndërmjet Trepçës dhe Vëllaznimit, që luhet në palestrën “Minatori” dhe nis në orën 17:00.
Trepça ka pësuar humbje në dy xhirot e shkuara, ndërsa ndaj Vëllaznimit futet pas një serie prej katër disfatave rresht, përfshirë këtu finalen e Superkupës dhe ndeshjen në kuadër të FIBA Europe Cup.
Të dy skuadrat kanë bilanc të njëjtë deri më tani në Superligë, pasi kanë tubuar nga katër pikë kurse Vëllznimi vjen pas fitores në udhëtim ndaj Pejës.
Ndërkohë, të shtunën nga ora 19:30 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi e pret Borën.
Është kjo ndeshja e skuadrave të pamposhtura deri më tani, ndërsa Bashkimi vlerësohet favorit pas triumfit në Superkupë dhe fitores në FIBA Europe Cup.
Të dielën, ndeshja e parë është ajo ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Pejës, që nis në orën 17:00 kurse nga ora 19:30, Rahoveci 029 e pret Sigal Prishtinën.











