Mesdita e së martës, i mblodhi në sheshin kryesor të kryeqytetit.
Për 21 ditë rresht, qytetarë anë e kënd Kosovës, u bën bashkë për UÇK-në.
Votimi i plotësim ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, vazhdon të theksohet si çështje ndaj së cilës duhet bashkuar të gjitha partitë.
Unifikim për zhbërjen e Speciales, u kërkua edhe nga familjet e dëshmorëve.
“Për unifikim dhe para le ta marrin vendimin e duhur. E drejta jonë, e sidomos e institucioneve dhe deputetëve të Parlamentit, është që të marrin vendimin e duhur. Ai vendim është që sot të vendoset, të sillet Ligji dhe të kalojë edhe në lexim të dytë, me një nen që e shfuqizon Gjykatën Speciale, këtë gjykatë që goditi krerët e UÇK-së, me akuza, këtë gjykatë që goditi në luftën e lavdishme të Kosovës, e mbi të gjitha goditi në shtetësinë e Kosovës”, tha Xhavit Jashari –kryetar i Shoqatws sw Familjeve tw Dwshmorwve.
Sikurse këto tri javë rresht, protestës i priu Çlirim Haziri.
“Sot është dita e fundit, është ora e fundit, prandaj sot nga ky shesh ju drejtohem deputetëve që janë aty brenda, kanë mbetur edhe pak orë, po ju lutemi të bëheni bashkë e të gjeni forcën të jeni njerëz para se të jeni numra partie. Mos e shkelni gjakun e Zahir Pajazitit, mos e shkelni gjakun e Fehmi Lladrovcit, Luan Haradinajt, familjes Jashari, mos e shkelni gjakun e dëshmorëve por votojeni atë ligj. Nëse ju sot e zgjidhni heshtjen, nëse ju sot e dërgoni vendin në zgjedhje vetëm për ta lënë të pambrojtur UÇK-në, atëherë dijeni se kjo protestë nuk përfundon sot, nëse e rrëzoni këtë ligj ne do t’ju ndjekim këmba-këmbës. Nuk do të ketë fushatë e as tubime për ju. Kjo masë do t’ju ndjek si hije”, tha ai.
Ndërlidhja e votimit të ligjit për Specialen me votimin e presidentit, sipas tij është shantazh në kurriz të UÇK-së.
“Kryeministri po na tregon se UÇK-ja nuk është emergjencë shtetërore. Po na tregon përralla për karrigen e butë të presidentit. Ne jemi këtu prej 21 ditësh e 21 netësh në këtë shesh, ndërsa kryeministri as nuk na ka parë e as nuk na ka dëgjuar. E sot, kur po i duhet karrigia e presidentit, po e fut si kusht edhe ligjin për UÇK-në. Në kurriz të UÇK-së po tenton të shantazhojë dhe të bëjë politikë”, u shpreh Haziri.
Protesta e së martës, nuk pati asnjë incident, të paktën deri në orët e pasdites.
Por, për eskalimin e situatës gjatë mbrëmjes së të hënës, organizatorët e lanë fajtor pushtetin.
“Dita e djeshme zbuloi fytyrën e vërtetë të këtij pushteti, dje ra edhe perdja e fundit. Rinia e këtij vendi hodhi fishekzjarrë në shenjë proteste, por mori përgjigje shkopin e pushtetit. Me urdhër të Albin Kurtit e Xhelal Sveclës dje u gjakosën sheshet e Prishtinës, u rrahën qytetarët, u goditën familjarët e dëshmorëve, por më e dhimbshmja, u rrahën pamëshirshëm veteranët e UÇK-së. U gjakosën luftëtarët e lirisë, sepse dolën në këtë shesh dhe thanë UÇK. Dje Albini e Xhelali kthyen forcat e rendit në një mjet qorr, në një shkop gome për të mbrojtur pazaret e tyre me gjakun e UÇK-së”, tha Haziri.
Në protestë erdhi edhe kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku.
Ai ishtë i ashpër me kryeministrin Kurtin, për mënyrën se si po trajtohet ligji për Specialen.
“Kjo është fytyra e vërtetë e Albin Kurtit, i cili me mashtrime dhe rrena ka ardhur në pushtet dhe vazhdon kështu. Për karrigen e vet nuk e miraton një ligj që nuk është për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, por është për shtetin e Kosovës, gjakun dhe sakrificën jo vetëm të ushtarëve të UÇK-së, por të popullit. UÇK-ja nuk ka qenë e Hashim Thaçit e as e individit, por e popullit shqiptar. Po flas për shqiptarë, jo për këta që e kanë gjakun e përzier me gjakun e serbëve. Këtu ka polici që e kanë udhëhequr edhe mbrëmë, që ka ndodhur këtu. Njerëz që baballarët e tyre janë në Serbi, atje me emra dhe mbiemra”, u shpreh Lushtaku.
Për vazhdimësinë e protestës, u vendosën tenda përpara ndërtesës së Kuvendit.







