Organizata e Veteranëve të Luftës ka reaguar pas tensioneve të shënuara në shesh mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.
Përmes një komunikate për media, OVL-UÇK i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të ndalë, siç është shprehur organizata, përdorimin e dhunës së tepruar ndaj protestuesve.
“Polici, e dimë që jeni me urdhër dhe se po zbatoni urdhra. Por mbani duart larg fëmijëve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe qytetarëve të këtij vendi, njerëzve që, përveç gjithçkaje tjetër, kanë kontribuar që ju sot ta gëzoni këtë uniformë.
Ndaleni dhunën e tepruar dhe të paprovokuar!”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Në komunikatë, organizata ka theksuar se kërkesat e protestuesve u drejtohen përfaqësuesve të institucioneve dhe jo pjesëtarëve të Policisë.
“Ne nuk kemi punë me ju. Kemi punë me përfaqësuesit e popullit dhe kërkojmë që ata të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Mos e ktheni uniformën që duhet të mbrojë qytetarin në mjet dhune ndaj tij”, përfundon reagimi.







