Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka zhvilluar takim me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Dren Paca, pas marrjes së detyrës nga ky i fundit.
Sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, gjatë takimit, Gashi dhe Paca janë dakorduar për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta institucionale në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve të luftës dhe formave të tjera komplekse të kriminalitetit.
Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe forcimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me partnerët strategjikë të Kosovës, veçanërisht në luftimin e krimeve transnacionale që cenojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit.
Sipas njoftimit, krahas ndjekjes penale, prioritet do t’i kushtohet edhe zhvillimit të hetimeve financiare, si dhe gjurmimit, sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së paligjshme të përfituar përmes veprave penale që janë në kompetencë të Prokurorisë Speciale.
Në takim është theksuar gjithashtu nevoja për zbatim efektiv të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë.







