Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 302 gjoba ndaj shoferëve që përdorën telefonin gjatë drejtimit të automjetit, gjatë muajit shtator 2026.
Sipas Policisë, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes vazhdon të jetë një nga faktorët që rrezikon sigurinë në komunikacion dhe mund të shkaktojë aksidente me pasoja serioze.
Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përqendrohen plotësisht në drejtimin e automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi.
“Edhe një sekondë pakujdesie gjatë përdorimit të telefonit mund të ketë pasoja serioze për jetën e njerëzve”, thuhet në apelin e Policisë Rajonale të Ferizajt.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë shkeljet e rregullave të trafikut, drejtpërdrejt në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, ose në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
Policia ka siguruar qytetarët se konfidencialiteti i të dhënave të tyre do të ruhet.




