Dogana e Kosovës ka zbuluar 50 mijë euro të fshehura dhe të padeklaruara në pikën e kalimit kufitar në Merdare.
Rasti është zbuluar sot, më 4 tetor, gjatë kontrolleve të detajuara të realizuara nga zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë, në bashkëpunim me oficerët doganorë dhe policorë.
Gjatë kontrollit të një autobusi të linjës Itali–Kosovë, në bagazhin personal të drejtuesit të autobusit janë gjetur 50 mijë euro, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar se, sipas legjislacionit në fuqi, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10 mijë euro ose më shumë, apo kundërvlerën në valutë të huaj, është i obliguar t’i deklarojë me shkrim shumën dhe burimin e tyre të verifikueshëm.
Autoritetet doganore kanë theksuar se do të vazhdojnë kontrollet për parandalimin e bartjes së padeklaruar të mjeteve monetare përtej kufirit.







