Dogana e Kosovës ka zbuluar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej 13.353,98 eurosh gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar (PKK) Hani i Elezit.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet të tipit Škoda Superb, me targa të Maqedonisë së Veriut, i drejtuar nga një shtetas i këtij vendi.
Gjatë pyetjes fillestare nëse kishte diçka për të deklaruar, drejtuesi i automjetit është përgjigjur se nuk kishte asgjë për të deklaruar.
Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 11.980 euro dhe 84.500 denarë maqedonas, të cilat, sipas Doganës, ishin të fshehura dhe nuk ishin deklaruar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pas konvertimit të shumës në valutë evropiane, vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara është 13.353,98 euro.
Dogana e Kosovës njofton se mjetet monetare janë konfiskuar.
Sipas nenit 33, paragrafit 1, të Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10.000 euro ose më shumë, apo kundërvlerën e tyre në valuta të tjera, është i obliguar t’i deklarojë ato pranë Doganës së Kosovës.







