Lulet po i vendos pranë varrit të më të dashurit të saj.
E kjo ditë, Ardita Ilazit, i përkon me dy përvjetorë.
Dy vite me parë, ndërroi jetë babai i saj, Imri Ilazi.
E pikërisht nën urdhrat e tij, me 28 shtator të vitit 1998, në Jezerc të Ferizajt, ushtarët e UCK-së, i detyruan forcat të mëdha ushtarake e policore serbe, të tërhiqeshin prapa.
Kjo rezistencë e cila e shpëtoi popullsinë civile, tani njihet edhe si “Epopeja e Jezercit”
Por, angazhimi i Komandant Ferrit për lirinë e vendit, kishte nisur shumë vite më parë.
“Ka shumë histori realisht se prindërit tonë, qysh si studentë në vitet ’81, ka qenë pjesëmarrës i demonstratave në atë kohë, edhe i plagosur. Kështu që ka pasur shumë raste ku ka mundur me humb jetën, edhe në luftë më vonë, ku janë vrarë shokët e tij. Ka qenë edhe ky i plagosur, edhe normal këto rrëfime na kanë mbetur në kujtesen tonë”, ka thënë vajza e Komandantit Ferrit, Ardita Ilazi.
Kujtimet kur babai u nis nga Gjermania në Kosovë, Ardita thotë se i mban mend.
Por si fëmijë, shton se nuk e kishin kuptuar peshën e atij vendimi të babait.
“Realisht ne kemi qenë të vegjël, nuk di çka të rrëfej shumë për kohën e luftës, sepse ne kemi qenë në Gjermani. Ai ka ardhur në vitin 1998, në mars të ’98-ës, nga Gjermania në Kosovë, iu është bashkëngjitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si fëmijë nuk e kam ditur peshën e asaj kohe edhe qysh më vonë jemi, kemi marrë vesh se çka ka ndodhur vërtetë. Pas luftës jemi kthyer dhe jemi bashkuar me babain tonë, gjeneralin Imri Ilazi, që e pati fatin me shpëtuar edhe me shiju lirinë”, tha tutje ka thënë vajza e Komandantit Ferrit, Ardita Ilazi.
E ata që luftuan nën urdhrat e “Ferrit” i kanë fjalët më të mëdha për komandantin e tyre.
“Unë si një luftëtar i drejtpërdrejtë i Epopesë së Jezercit sot kujtojmë me krenari, me lavdi dëshmorët e rënë në këtë betejë, nëntë dëshmorët e rënë. Por sot jemi me zemër të thyer për atë që na ka ndodhur këtë të fundit, vendimit të Hagës… Sot gjithashtu kemi dy vjetorin e gjeneralit Imri Ilazi, të cilin e kujtojmë me pietet jetën dhe veprën e tij. Gjithmonë do ta kujtojmë për sakrificën e tij, për shembull tyre në luftë”, u shpreh nënkryetari i OVL-UÇK-së në Ferizaj, Luan Jahiri.
Por ky përvjetor, këtë vit po përjetohet ndryshe në Ferizaj.
Shkak për këtë, është aktgjykimi dënues për çlirimtarët nga Gjykata Speciale.
“Është kjo ditë e veçantë dhe sigurisht se përtej një dite është dhe bëme e veçantë edhe për faktin se ne edhe këtë ditë po e shënojmë pa praninë, respektivisht me mungesën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që padrejtësisht po mbahen në Hagë. Dhe sot përtej homazhit, kishte edhe dhimbje, kishte edhe mërzi, që ne nuk i kishim ata, për t’i nderuar bashkë, bashkëluftëtarët e tyre. Dhe prandaj sot me ndërimin, ishte pra kjo edhe respekti që kishim po mbi të gjitha, ishte edhe si një lloj kërkese e gjithë atyre dhjetëra mijëra vetëve që jo në emrin tim”, ka deklaruar kryetari i Ferizajit, Agim Aliu.
Ndryshe, në “Epopenë e Jezerzcit” gjatë përballjes me forcat serbe, heroikisht ranë nëntë ushtarë të UCK-së.



