Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bëri të ditur se produkti ushqimor “Flips Ketchup” tërhiqet nga tregu.
Sipas AUV-it, gjatë kontrollit zyrtar në Slloveni është konstatuar në këtë produkt prania e gjurmëve të qumështit.
“AUV përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) nr. 2026.8267, është njoftuar për ndalim të një ngarkese me produkt: “Flips Ketchup” me datë skadimi 11.02.2027, prodhues PESTOVA L.L.C lidhur me mosdeklarimin e pranisë së alergjenit qumësht në produktin ushqimor.
Gjatë kontrollit zyrtar në Slloveni është marrë mostër e këtij produkti, ku përmes analizave laboratorike është konstatuar prania e gjurmëve të qumështit. Sipas vlerësimit të riskut të bërë në kuadër të njoftimit RASFF, produkti është vlerësuar si i pasigurt për konsumatorët e ndjeshëm ndaj alergjenit qumësht.
AUV menjëherë ka nisur gjurmueshmërinë për prodhimin dhe tregtimin e produktit.
Inspektorati i AUV-së ka realizuar menjëherë kontrolli zyrtar te operatori Pestova SHPK, me qëllim të verifikimit të rastit, konstatimit të gjendjes dhe ndërmarrjes së masave përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjatë kontrollit është konstatuar se produkti “Flips Ketchup”, Lot FK 04/26, ishte i pranishëm në stok. I njëjti sipas dokumentacionit ishte prodhuar në sasi prej 20,406 pakosh dhe ishte eksportuar në disa vende. thuhet në njoftim të AUV-it.
AUV ka urdhëruar operatorin ekonomik tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit me Lot FK 04/26. Po ashtu ka ndaluar shitjen apo distribuimin e sasisë në depo. Është vendosur masë kufizuese për prodhimi dhe vendosja në treg të produktit të ri, deri në kryerjen e analizave laboratorike për praninë e alergjenëve të qumështit dhe/ose korrigjimin e deklaracionit. Mbikëqyrja e zbatimit të urdhëresave do të përcillet deri në përfundim. Pas marrjes së rezultateve të analizave laboratorike, vendoset për fatin e produktet duke u mbështetur ne rezultate dhe vendosje të etiketimit-deklarimit të saktë të përbërësve në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftim.







