Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe një tjetër është lënduar nga një mjet i mprehtë mëngjesin e sotëm në magjistralen Prishtinë – Ferizaj.
Lajmin për tëvë1.info e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana i cili bëri të ditur se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor.
Sipas Pllanës, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme hetimore.
“Sot, rreth orës 05:00, Policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në magjistralen Prishtinë–Ferizaj. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar tre persona, dy prej të cilëve dyshohet se janë plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa një person dyshohet se është lënduar nga një mjet i mprehtë. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme hetimore”, thuhet në përgjigjen e tij./teve1.info/







