Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar shkyçje nga rrjeti për konsumatorët që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara radhazi.
KRU “Prishtina” njofton se ekipet në terren kanë nisur zbatimin e masave ndaj borxhlinjve, ndërsa rastet do të dërgohen te Përmbaruesi Privat.
Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i kryejnë pagesat për të shmangur shkyçjen, shpenzimet e përmbarimit dhe tarifën e rikyçjes. Pagesat mund të bëhen online, përmes eKosovës, si dhe në zyrat e Postës së Kosovës, bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare.
Për konsumatorët që nuk kanë mundësi ta shlyejnë borxhin menjëherë, KRU “Prishtina” ka ofruar mundësinë e riprogramimit të borxhit me këste mujore. Marrëveshja duhet të bëhet para aplikimit të masës së shkyçjes./teve1.info/










