Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme të mërkurën.
Në këtë seancë që është thirrur nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu do të diskutohet për raportin e Komisionit Evropian për Kosovën dhe adresimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të dala nga raporti, raporton Tëvë1, që ka siguruar ftesën që u është dërguar deputetëve për këtë seancë.
Seanca është thirrur për në orën 13:00.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026, në pjesën që i kushtohet Kosovës, evidenton ngecje në disa prej reformave kryesore që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Në dokument theksohet se sistemi gjyqësor nuk ka shënuar përparim, ndërsa rezultatet në luftën kundër korrupsionit mbeten të kufizuara. Po ashtu, përmenden krizat e njëpasnjëshme politike, të cilat kanë ndikuar në funksionimin e institucioneve të vendit.
Komisioni Evropian vë në pah edhe rënien e numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, raporti evidenton zhvillime pozitive në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Ky raport është lexuar me vlerësime të ndryshme nga pushteti dhe opozita.
Përderisa nga pozita kanë thënë se raporti nuk vlerëson kthim prapa në asnjë fushë, opozita ka vlerësuar se raporti shënon regres për Kosovën.









