Shoqata e Familjarëve “Përkorë” ka reaguar sot ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të bëra në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku ai mohoi se në Kosovë kishte ndodhur një katastrofë humanitare gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Sipas kësaj shoqate të drejtuar nga Latif Mehmeti, për familjet e viktimave dhe të personave të zhdukur, deklarata të tilla përbëjnë mohim të një tragjedie të dokumentuar dhe të vuajtjeve të mijëra familjeve.
“Gjatë luftës në Kosovë, shqiptarë të Kosovës u vranë, u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe mijëra persona mbetën të zhdukur. Mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës u dëbuan drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së atëhershme”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Familjarëve “Përkorë”.
Gjithashtu në reagim thuhet se një dëshmi e rëndësishme e krimeve të kryera gjatë luftës janë edhe trupat e shqiptarëve të Kosovës, të cilat janë gjetur në varreza masive në territorin e Serbisë, ndër të tjera në Batajnicë, Petrovo Selo, Peruçac, Rudnicë dhe Kizhevak.
“Për familjet, këto fakte ngrenë pyetje të rënda që ende kërkojnë përgjigje: Kush i transportoi trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë drejt Serbisë? Kush dha urdhrat? Kush organizoi fshehjen e tyre në varreza masive dhe kush mban përgjegjësi për këtë? Këto nuk janë vetëm pyetje të familjeve të të zhdukurve. Janë çështje që kërkojnë trajtim serioz institucional, dokumentim të plotë dhe përgjegjësi para drejtësisë”, thuhet në reagim.
Shoqata e Familjarëve “Përkorë” kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që faktet, dëshmitë dhe dokumentet për krimet e luftës dhe personat e zhdukur të paraqiten në mënyrë të fuqishme dhe të vazhdueshme para faktorit ndërkombëtar.
“E vërteta për viktimat, të zhdukurit dhe familjet e tyre nuk mund të fshihet përmes mohimit apo propagandës. Familjet kërkojnë të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë për të dashurit e tyre”, thuhet në fund të reagimit nga Shoqata e Familjarëve “Përkorë” në Podujevë, e drejtuar nga Latif Mehmeti.
Ndryshe, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të mërkurën, në Neë York, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar se forcat serbe të sigurisë, përfshirë edhe ato paramilitare, ishin shkaktare të katastrofës humanitare të viteve 1998-99 në Kosovë
Ai, po ashtu, zbrazi një arsenal me kritika për ndërhyrjen e NATO-s ndaj shtetit të tij, pranverën e vitit 1999 dhe më pas akuzoi Kroacinë për “ringjallje të nazizmit”.







