Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Gjilan, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo mjeteve plasëse”.
Gjatë kontrollit të zhvilluar në lidhje me rastin, Policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni, përfshirë gjashtë pushkë gjuetie, gjashtë pistoleta, një armë të gjatë dhe një pushkë ajrore.
Po ashtu, gjatë kontrollit janë gjetur 836 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër leje armësh, para të gatshme dhe dy telefona mobilë.
Sipas Policisë, një person tjetër i dyshuar për të njëjtën vepër penale ndodhet ende në kërkim.
“Lidhur me rastin e lartcekur janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë ndërsa njëri ndodhet ende në kërkim policor, nën dyshimin për kryerje të veprës së lartcekur. Gjatë kontrollit janë gjetur 6 pushkë gjuetie, 6 pistoleta, një armë e gjatë, një pushkë ajrore, 836 fishekë (kalibrave të ndryshme), 4 leje të armëve, para të gatshme dhe dy telefona mobil”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.







