Tenori veterani i UÇK-së, Ramë Lahaj, iu drejtua sonte qytetarëve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e shtatë të protestës “Jo në emrin tim”.
Kjo protestë me shumë qytetarë po mbahet në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Lahaj bëri thirrje për unitet dhe për ruajtjen e vlerave të lirisë dhe të UÇK-së, duke iu bashkuar mesazheve të protestuesve për drejtësi dhe për mbrojtjen e trashëgimisë së luftës çlirimtare.
Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, të cilën Lahaj e këndoi së bashku me qytetarët e pranishëm.
Tenori, i cili është edhe ish-ushtar i UÇK-së, bëri po ashtu Betimin e Ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke sjellë një prej momenteve më simbolike të protestës së mbrëmjes.
Ndryshe, OVL-UÇK, për të premten prej orës 17:00 ka paralajmëruar protesta në të gjitha qytetet e Kosovës.
Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë, ndërsa i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim duke llogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgim.




