Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka kritikuar mënyrën e hartimit dhe komunikimit të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke folur në emisionin “Dëndi i debatit” në Tëvë1, Hasani ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si janë trajtuar viktimat në aktgjykim, duke përmendur shifrën prej 96 personash të vrarë, 303 personash të torturuar dhe 49 raste të trajtimit çnjerëzor.
Sipas tij, në aktgjykim është përmendur vetëm një nga viktimat, ndërsa nuk janë përfshirë në mënyrë të njëjtë edhe 95 personat e tjerë.
Hasani e ka cilësuar këtë si një padrejtësi ndaj viktimave dhe ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si janë përmendur persona të tjerë në kuadër të pretendimeve për ndërmarrje të përbashkët kriminale.
“Po, edhe ajo është padrejtësi dhe ne spektaklim moral ndaj viktimave të tjera. Kjo është e para. E dyta, përmendja si pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale e disa emrave të tjerë, për të cilët menjëherë dhe me nguti është bërë një komunikim, edhe ajo është me hile. Sepse ajo mënyrë komunikimi, në një republikë, nuk i ka hije prokurorisë, gjykatës. Pa asnjë hetim, pa asnjë të dhënë, ajo pra do të thotë se ishte krejt skandaloze për standardet minimale dhe etikën e gjyqtarit”, tha Hasani.
Ai ka kritikuar edhe përvojën profesionale të gjyqtarit që ka lexuar aktgjykimin, duke vënë në pikëpyetje përgatitjen e tij në fushën penale.
“Unë jam i sigurt se, po të ishte nga shteti prej nga ka ardhur ai, kurrë nuk do të kishte mundur të punonte gjyqtar për cilindo rast. Sepse e pashë se ai kryesisht ishte marrë me çështje të taksave dhe civile, nuk ishte marrë me çështje penale. Në cilin vend të kishte vepruar, në cilindo gjykim, për shkak se atje në nivel shteti i kanë këshillat gjyqësore, do të kishte pasur pasoja shumë të ashpra”, u shpreh Hasani.







