Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 28-vjetorin e rënies së dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka.
Përmes një postimi, Kurti ka kujtuar 22 shtatorin e vitit 1998, kur katër pjesëtarët e UÇK-së ranë në fshatin Gradinë, duke luftuar kundër forcave serbe.
“28 vite më parë, më 22 shtator 1998, katër luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u përjetësuan bashkërisht si dëshmorë të lirisë së atdheut tonë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka treguar se në atë ditë, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortja e tij, Xhevë Krasniqi, së bashku me Fatime Hetemin dhe Shefqet Zekën, ranë duke luftuar kundër forcave serbe, teksa po mbronin popullsinë civile.
“Atë ditë, në fshatin Gradinë, Fehmi Lladrovci nga Gllanasella e Drenasit me bashkëshorten e tij Xhevë Krasniqin nga Drenoci i Malishevës, si dhe Fatime Hetemi nga Bistrica e Shalës bashkë me Shefqet Zekën nga Prishtina, ranë dëshmorë duke luftuar përballë forcave armike serbe. Ata po e mbronin popullsinë civile të Drenicës, nga forcat e armatosura të Serbisë që kishin depërtuar në drejtim të Çikatovës dhe Gllanasellës”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka veçuar edhe veprimtarinë e hershme politike të Fehmi Lladrovcit, duke përmendur burgosjen e tij dhe angazhimin në mesin e emigrantëve politikë në Gjermani.
“Veprimtar i hershëm politik për çfarë kishte mbajtur edhe burg mes viteve 1985 dhe 1991, Fehmi Lladrovci kishte qenë shumë aktiv mes emigrantëve politikë në Gjermani gjatë viteve ’90, deri kur në mes të vitit 1997 ishte kthyer në Kosovë, për ta ndihmuar nga brenda organizimin dhe rezistencën e armatosur”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, Lladrovci, të cilin e ka përshkruar si një person me përvojë dhe integritet moral, ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së.
“Një njeri me shumë përvojë, bagazh patriotik dhe me integritet moral, Feha, ishte Komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, teksa mendohej si njëri nga drejtuesit më të spikatur të kësaj ushtrie në ngritje e sipër”, ka thënë Kurti.
Kurti ka përmendur edhe bashkëshorten e Fehmi Lladrovcit, Xhevë Krasniqi, duke theksuar përgatitjen e saj profesionale dhe angazhimin e përbashkët me bashkëshortin.
“Bashkë me gruan e tij, Xhevë Krasniqin, e diplomuar për letërsi dhe drejtësi, të dy përbënin një çift të përkryer që dashurinë mes tyre, e kishin sublimuar te dashuria për atdheun dhe liria e tij”, ka shkruar ai.
Në të njëjtën betejë, sipas Kurtit, ranë dëshmorë edhe Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka.
“Në javët e fundit të ofensivës plot operacione të policisë dhe ushtriaë serbe ndaj UÇK-së, në të njëjtën betejë me Fehmiun dhe Xhevën, ranë dëshmorë shoqja e Xhevës, Fatime Hetemi dhe luftëtari i brigadës së komanduar nga Fehmiu, Shefqet Zeka”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka nderuar katër dëshmorët, duke theksuar bindjen e tyre për lirinë e Kosovës.
“Lavdi Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi Lladrovcit, lavdi Fatime Hetemit e Shefqet Zekës, që luftuan deri në vdekje me bindjen se liria e Kosovës do të jetë trofeu i luftës dhe i jetës së tyre!”, ka shkruar Kurti.







