Thirrjet “UÇK” janë dëgjuar këtë të shtunë në rrugët e Cyrihut në Zvicër.
Kështu me qindra bashkatdhetarë u mblodhën në protestë për ta kundërshtuar vendimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky tubim erdhi si një reagim i menjëhershëm i diasporës shqiptare, e cila shprehu indinjatën e thellë ndaj aktgjykimit për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Detaje se si u organizuan dhe se si shkoi kjo ditë e protestës për tëvë1 ndau Flakë Haziri, pjesë e grupit organizativ.
Për mërgatën, ky proces nuk përfaqëson drejtësi, andaj edhe duhet ngritur zërin.
Ndërkaq për sfidat e organizimit Flakë Haziri tha se ka qenë shumë sfiduese, por organizimi i protestës ka ndodhur shumë shpejt.
“Protesta është organizuar në mënyrë shumë të shpejtë dhe kemi pasur edhe mbështetje, pra nuk na kanë bërë asnjë lloj problemi komuna e Cyrihut. E kemi organizuar në mënyrë shumë të rrjedhshme dhe për ne si gjeneratë e re se është krijua nga një grup i të rinjve është sfiduese të organizojmë protesta të tilla se ne jemi mësuar në liri, por me mbështetjen e gjeneratave pak më të vjetra të cilët në kohën e rinisë së tyre kanë pasur protesta të tilla ka shkuar çdo gjë në rregull. Falënderimi më i madh i takon atyre qe i janë përgjigjur kësaj proteste e që ka qenë me një masë shumë te madhe”, tha Flakë Haziri.
Haziri gjithashtu tha se ruajtja e historisë dhe vlerave kombëtare mbetet prioritet i rinisë në diasporë.
“Kujtimin dhe ruajtën e historisë sonë e kemi obligim moral dhe asnjë moment më i përshtatshëm dhe më i duhur se tani për të ngritur zërin tonë nuk ka qenë tash e mbas luftës. Prandaj i inkurajoj gjithë rinin kudo që janë bashkë me gjeneratat e vjetra që të bashkohen”, theksoi ajo.
Në mesin e shumë qytetarëve që u bashkuan për të ngritur zërin, ishte dhe mërgimtari Tarzan Grantolli.
“Sot jemi dal këtu në Cyrih për të shprehur pakënaqësitë për dënim e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka të bëjë me individ, por këtu në fakt është duke u dënuar UÇK-ja dhe jemi dal të shprehim indinjatën e thellë dhe zhgënjimin tonë ndaj kësaj gjykate. Ka marr vendim jo të duhur ka marr një vendim politik e atë do të mundohemi që me çdo kusht të e zbejmë”, deklaroi Grantolli.
Përveç në qytetin e Cyrihut, protestë për ta kundërshtuar dënimin ndaj ish- krerëve të UÇK-së u organizua edhe në qytetin e Frankfurtit.






