1 euro e 94 cent për litër.
Ky ishte çmimi mesatar i naftës gjatë ditës së sotme në Kosovë.
Rritja vjen pas situatës së tensionuar në Iran, dhe rritjes së çmimit të naftës BRENT.
Nga 70 dollarë për barel para nisjes së luftës, sot vlera e saj është rreth 100 dollarë.
Në gjithë këtë situatë, ekonomisti Fidan Qerimi thotë se shteti duhet të reagoj.
“Kjo është në dëm të qytetarëve dhe bizneseve kosovare. Njëkohësisht besoj që do të ketë impakt më të lartë se në dy tre muajshin e parë kur kemi pasur një inflacion prej 7% e nëse kjo vazhdon besoj që do të ketë një inflacion edhe shumë më të lartë. Duke pasur parasysh që derivatet janë pjesë përbërëse të secilit produkt do të thotë qoftë në prodhim”, tha Qerimi.
Kosova sipas Qerimit, mund ta marrë si shembull Maqedoninë e Veriut.
“Shteti përcakton një autoritet shtetërorë që përcakton çmimin e naftës dhe ata kanë ndërmarrë një hap shtesë kanë ulur përqindjen e TVSH-së nga 18% në 10% dhe kjo do të duhej të bëhet edhe në vendin tonë. Qoftë në uljen e TVSH-së apo edhe në uljen e akcizës që është me lehtë e implemtueshme”, vlerësoi Fidan Qerimi.
E çmimet, sipas ekspertit të sektorit të naftës, Fadil Berjani, do të vazhdojnë të lëvizin edhe për një kohë.
“S’mundemi me paragjykuar se çfarë çmime do ti kemi ne ditët ne vijim sepse po ka lëvizje të mëdha ne tregjet ndërkombëtare dhe ne BERZ dhe situata e tensionuar në Iran. Po reflektojnë këto çmime”, pohoi Berjani.
Televizioni ka kontaktuar gjatë ditës Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë, për planin e tyre në lidhje me çmimet e larta të naftës, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.
E çmimet e larta të derivateve, ua kanë vështirësuar jetën qytetarëve.
“Inshalla zbresin se nëse rrijë kështu s’di unë në Prishtinë me autobus kam shku se nuk kam llogari me marr kerrin se çmimet janë shumë të shtrenjta marramendëse. Mua më së pari më rëndon çdo ditë 10 euro naftë më shkojnë me dal në Prishtinë më së paku, a mëditja 20 euro ku është ushqimi ku janë tjerat veç duhet me punua për kerr”, tha qytetari Xhevdet Hyseni.
“Nuk është i arsyeshëm në krahasim me standardet tona, por shpresojmë që do të rregullohet kjo është momentale se në të gjithë botën është jo vetëm tek ne, në Shqipëri është edhe më keq e në të gjitha vendet”, theksoi Ferdeze Hundozi (qytetare).
Sipas qytetarit Hamëz Osmanollaj, çmimet janë ngritur tashmë edhe në produkte të tjera.
“Erdha këtu se gjoja më lirë ndonjë lirim do ketë a diçka, mirëpo shumë pak kishte janë rrit të gjitha gjërat në krahasim me dhjetë ditshin e kaluar gati 45 euro më tepër të njëjta gjëra i kam marr si më herët, por tani më shtrenjtë”, deklaroi Osmanollaj,
Nga katër shtatori, MINT ka tërhequr kufizimin e çmimit maksimal të shitjes për derivate.
Përkundër kësaj, vet ministria ka njoftuar se po i inspekton çmimet, mirëpo se nuk ka vërejtur ndonjë keqpërdorim.






