Që prej verdiktit dënues të 16 shtatorit, sheshet e Prishtinës janë kthyer në vend proteste.
Nga këtu, mijëra njerëz e kundërshtuan edhe sot aktgjykimin që dënoi me 81 vite burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prezent sërish ishte edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, me përfaqësues të tjerë të partisë.
Kundërshtimin ndaj Speciales, Hamza e rikonfirmoi se synojnë ta konkretizojnë në Kuvendin e Kosovës.
“Do bëjmë gjitha veprimet e nevojshme, demokratike, edhe protesta, por, edhe veprime ligjore. Besoj se sot do të konkretizojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi kreu i PDK-së, Bedri Hamza.
Protesta, ai tha se ka vetë një qëllim.
“Ne jemi për drejtësi, jemi kundër padrejtësisë dhe tash këtë proces, këtë gjykatë çka kemi pa, kemi pa padrejtësi. Ky është një vendim i papranueshëm për qytetarët e Kosovës, vendim i padrejtë, i pabazuar në fakte, është vendim politik dhe sigurisht ne jemi këtu me shpreh pakënaqësinë tonë. Kjo protestë është në përkrahje të liderëve tanë, të udhëheqëseve të UCK-së, solidarizim dhe përkrahje e pakufishme për të. Nuk është e drejtuar ndaj askujt, po, në përkrahje të plotë”, theksoi Hamza.
Megjithatë, për nismën që në Kuvend të konkretizohet një kundërshtim kundër Speciales, akoma nuk janë njoftuar zyrtarisht as vet deputetët e PDK-së.
“Nuk jam i informuar që do të ketë një seancë sot, por besoj që kërkesa e Bedri Hamzës është e qartë që të reflektojnë partitë e tjera politike mbi situatën dhe krizën e drejtësisë që kanë shfaqur Dhomat e Specializuara në Hagë”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
Bekë Berisha nga Aleanca, tregon se as partia e tij nuk është e njoftuar për një gjë të tillë.
Për Specialen, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, u kërkoi të gjitha partive që të bëhen bashkë.
“Moment i rëndë, i cili as nuk duhet të na ndalë, njerëzit me qartësi e pa u dorëzuar kanë luftuar fortë dhe me gjet rrugë që këtë padrejtësi me kthy në drejtësi. Tani duhet lidership i fuqishëm për të parë hapat e gabuar…Po e shihni sa i rëndësishëm është integriteti personal i një gjyqtari. Një gjyqtar që hapur ka zbatuar urdhra politikë, ka kryesuar trupin gjykues”, deklaroi Limaj.
Gjatë ditës së djeshme, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, takoi kryeministrin Albin Kurti.
Temë kryesore e diskutimit ishte verdikti i Speciales.






