Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dhe Komuna e Podujevës kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillimin e sektorit privat në këtë komunë.
Memorandumi synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, fuqizimin dhe zgjerimin e bizneseve, krijimin e mundësive të reja për investime dhe rritjen e punësimit, përmes bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet institucioneve lokale dhe komunitetit të biznesit.
Nënshkrimi u bë në kuadër të aktivitetit “Kafja e mëngjesit”, të organizuar nga DHTIK në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, ku përfaqësues të institucioneve dhe të komunitetit të biznesit diskutuan për mundësitë, sfidat dhe nevojat e bizneseve në këtë komunë.
Kryetari i Bordit të DHTIK-së, Skender Krasniqi, theksoi se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë do të vazhdojë angazhimin e saj në mbështetje të bizneseve dhe në forcimin e bashkëpunimit me institucionet në nivel lokal.
Ai tha se DHTIK ka ndërmarrë një varg iniciativash në funksion të përfaqësimit dhe mbështetjes së komunitetit të biznesit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet komunale për adresimin e sfidave me të cilat përballen bizneset.
Krasniqi vlerësoi se për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik është i nevojshëm një koordinim më i madh ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat, ndërsa shprehu nevojën që Kosova të ketë sa më shpejt institucione funksionale në nivelin qendror, në mënyrë që të krijohet një mjedis më i qëndrueshëm dhe më i favorshëm për bizneset dhe investimet.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi DHTIK-në për angazhimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se Komuna e Podujevës ka ndërmarrë një sërë iniciativash në mbështetje të sektorit privat dhe zhvillimit ekonomik lokal.
Bulliqi përmendi mbështetjen për bizneset e reja përmes skemave të granteve, si dhe zhvillimin e Zonës Industriale, në të cilën pritet të vendosen biznese në 52 parcela. Ai theksoi gjithashtu investimet në infrastrukturë dhe mundësinë e dhënies së pronave komunale në shfrytëzim për bizneset, me synim krijimin e kushteve më të mira për investime dhe zgjerimin e veprimtarisë ekonomike.
Kryetari Bulliqi veçoi edhe diskutimet që Komuna e Podujevës është duke zhvilluar me dy investitorë për realizimin e dy projekteve të rëndësishme, përkatësisht për hapjen e një fabrike për prodhimin e autobusëve elektrikë dhe një fabrike për prodhimin e dyerve kundër zjarrit.
Sipas tij, një fokus i veçantë i komunës është edhe zhvillimi i bujqësisë. Në këtë drejtim, ai përmendi krijimin e Parkut Bujqësor, të cilin e cilësoi si të parin e këtij lloji në Kosovë, si dhe zhvillimin e Tregut të Gjelbër, si iniciativa që synojnë të krijojnë më shumë mundësi për prodhuesit dhe bizneset lokale.
Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e bizneseve ngritën një sërë çështjesh që ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre dhe në konkurrueshmërinë e prodhimit vendor.
Bizneset kërkuan nga institucionet, si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror, që të ndërmarrin masa konkrete për mbështetjen dhe mbrojtjen e prodhimit vendor. Ndër sfidat e theksuara ishin mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe nevoja për përshtatjen e arsimit me kërkesat e tregut të punës, luftimi më i madh i ekonomisë informale, reforma e politikave fiskale, inflacioni dhe rritja e kostos së lëndës së parë.








