Sot, nis xhiro e shtatë e Superligës së Kosovës në futboll, dhe atë me ndeshje derbi.
Nën dritën e reflektorëve, do të luhet ndeshja hapëse e kësaj xhiroje ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës.
Kjo ndeshje nis në orën 19:00 dhe zhvillohet në stadiumin me bar artificial në qytetin e Gjilanit, ku pritet të jetë një atmosferë e zjarrtë sportive.
Në fakt, kjo edhe është njëra prej ndeshjeve më interesante të xhiros së shtatë në elitën e futbollit kosovar.
Përderisa Gjilani kërkon të kthehet te fitorja pas barazimit në xhiron e fundit me Dritën, në anën tjetër Prishtina synon të vazhdojë me formën fantastike të këtij sezoni.
Prishtina është ekipi i vetëm këtë sezon që i ka fituar të gjitha ndeshjet deri më tani, duke tubuar 5 pikë pas pesë dueleve të luajtura.
Ndërkohë, Gjilani renditet i katërti në tabelë me 11 pikë dhe është në kërkim të fitores së katërt sezonale, ku në gjashtë ndeshje të luajtura ka regjistruar edhe dy barazime e një humbje.
Xhiro e shtatë, do të vazhdojë të shtunën me dy ndeshje që nisin në orën 16:00, Malisheva – Ballkani dhe Feronikeli ’74 – Vushtrria.
Të dielën, në orën 16:00 nis ndeshja Drenica – Llapi kurse xhiro mbyllet me duelin e orës 19:00, në të cilin përballen Dukagjini dhe Drita.










