Në 28-vjetorin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Heroit të Kosovës, Xhavit Haziri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe pranë shtatores së tij në qytetin e Obiliqit.
Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit, ndërsa Kurti ka kujtuar veprimtarinë dhe kontributin e Hazirit në përpjekjet për lirinë e Kosovës.
“Për ta kujtuar jetën dhe nderuar veprën e Xhavit Hazirit, bëmë homazhe pranë shtatores së tij në Obiliq, në përvjetorin e zhdukjes së tij më 17 shtator të vitit 1998”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, më 17 shtator 1998, Xhavit Haziri kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në zyrat e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, ku punonte.
“Kur po kalonte afër Xhamisë së Llapit, dy zyrtarë të shërbimit të fshehtë të Serbisë e rrëmbyen dhe e futën në makinën e tyre të markës ‘Golf’, me ngjyrë të bardhë. Dëshmitarët e rastit kanë deklaruar se kjo makinë lëvizi në drejtim të rrugës ku gjendej Medreseja e Prishtinës”, ka thënë Kurti.
Katër ditë më vonë, më 21 shtator, familjarët e raportuan zhdukjen e Xhavit Hazirit në media. Megjithatë, ai ka mbetur i zhdukur që nga ajo kohë.
Xhavit Haziri, i lindur më 1960 dhe me origjinë nga Druari i Vushtrrisë, ishte shkolluar në Obiliq dhe kishte përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës.
Pas demonstratave të vitit 1981, Haziri u angazhua në veprimtari politike, duke kontribuar në përafrimin dhe bashkimin e organizatave të fshehta politike në Kosovë. Për veprimtarinë e tij, ai vuajti dënim me burgim nga viti 1986 deri më 1990.
Pas lirimit, Haziri vazhdoi angazhimin e tij politik dhe patriotik në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku konsiderohej një nga pjesëtarët e shquar të këtyre organizatave.
“Heroi i Kosovës dhe dëshmori i lirisë së saj, Xhavit Haziri, do të kujtohet për angazhimin e tij patriotik ndër shokë në historinë e betejave të popullit të Kosovës për liri”, ka deklaruar Kurti./teve1.info/







