Pak orë para shpalljes së verdiktit final për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, profesori Fatmir Çollaku ka komentuar situatën në Kosovë dhe shqetësimet që janë shfaqur në opinionin publik.
I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Çollaku ka thënë se zhvillimet e fundit duhet të shihen edhe në kontekstin e një “lufte propagandistike”, duke theksuar se pritshmëritë e opinionit publik për ngjarje të ndjeshme krijojnë terren të përshtatshëm për skenarë të ndryshëm.
“Kanë nisur njësi të ndryshme, do të thotë është një luftë propagandistike, të cilën pa dyshim e ka parë si njërin nga skenarët e mundshëm. Zakonisht, pritshmëritë e opinionit publik për ngjarjet specifike dhe sensitive janë terreni më i përshtatshëm për lansim, promovim edhe zhvillim të skenarëve të ndryshëm, në kuptimin e dezorientimit të masës apo edhe shkaktimit të panikut kolektiv”, ka thënë Çollaku.
Ai ka përmendur edhe informacionet e publikuara lidhur me paralajmërimet e disa ambasadave për qytetarët e tyre, duke thënë se këto zhvillime kanë ndikuar në rritjen e frikës dhe pasigurisë te një pjesë e qytetarëve.
Çollaku ka bërë thirrje që qytetarët të informohen në mënyrë të qartë për situatën, duke vlerësuar se nuk ka indikacione për ndonjë kërcënim serioz ndaj sigurisë në Kosovë.
“Unë mendoj se duhet dikush të dalë edhe t’i informojë qytetarët e Kosovës se në situatën aktuale në vend nuk ka as pretendime serioze për sulm në Republikën e Kosovës, as nuk ka pritshmëri reale për ndonjë situatë dramatike. As nuk ka baza të përshkallëzimit të sigurisë. Gjithçka është normale, Policia ka marrë të gjitha masat. Nuk ka vend për panik, s’ka fare arsye për t’u frikësuar askush”, ka deklaruar Çollaku.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur vëmendja e opinionit publik është përqendruar te vendimi përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe masat e sigurisë të ndërmarra në Kosovë.







