Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është takuar të hënën me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel.
Gjatë takimit, Hamza dhe Schuebel kanë shkëmbyer pikëpamje lidhur me nevojën për t’i dhënë përparësi integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe zbatimit të reformave përkatëse.
Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe rëndësia e ruajtjes së stabilitetit dhe krijimit të kushteve për zhvillim e prosperitet për qytetarët e Kosovës.
Për takimin ka njoftuar Zyra e BE-së në Kosovë përmes një postimi, ku ka theksuar se Bashkimi Evropian mbetet një nga partnerët kryesorë të Kosovës.
“Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, u takua sot me Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ata shkëmbyen pikëpamje mbi nevojën për t’i dhënë përparësi integrimit të Kosovës në BE dhe reformave përkatëse, si dhe për të siguruar stabilitet dhe prosperitet për qytetarët e Kosovës. BE ka qenë partneri më i fuqishëm i Kosovës që nga viti 1999 dhe do të vazhdojë angazhimin me të gjithë aktorët politikë”, thuhet në njoftim.
Takimi vjen në kuadër të angazhimit të Bashkimit Evropian me subjektet politike në Kosovë për çështjet që lidhen me integrimin evropian, reformat dhe zhvillimet politike në vend.







