Në Hagë po zhvillohet dita përfundimtare e procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me akuzat për tentim të pengimit të drejtësisë.
Avokatja Sophie Menegon e cila përfaqëson Hashim Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë në Gjykatën Speciale tha se arsyeja pse ata kanë kundërshtuar transkriptet në tërësi dhe jo pjesë të caktuara është për shkak se Prokuroria nuk e ka përmbushur barrën e provës.
“Ne, kundërshtojmë transkriptet në tërësinë e tyre dhe nuk kundërshtojmë fjali të caktuara të transkripteve. Nuk pritet që tani, mbrojtja të ketë barrën e provës ose të akuzuarit të kenë barrën e provës për të vërtetuar pasaktësinë”, ka thënë ajo.
Ajo tha se këto transkripte nuk duhet të pranohen përveç në rastet që janë të mbështetura në ekzaminime shkencore dhe të mbështetura nga dëshmitarë të cilët kanë mundur të iu nënshtrohen kundër-pyetjeve.
“Shpallja fajtor në këtë çështje nuk mund të bazohet vetëm në shkallë të gjerë në transkriptet e ZPS-së. Personat që i kanë bërë këto transkripte janë të panjohur dhe mbrojtja nuk e ka pasur mundësinë që t’i marrë në pyetje ata”, ka thënë Menegon.







