Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka deklaruar se deputetët e VV-së janë të gatshëm të votojnë njërin prej 22 deputetëve të PDK-së për postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Rrustemi ka theksuar se qëllimi, sipas tij, nuk është përcaktimi se kush duhet ta përfaqësojë PDK-në në Kryesinë e Kuvendit, por qëndrimi politik ndaj zhvillimeve aktuale dhe qëndrimit të presidentit.
“Ne jemi për ta votuar njërin prej 22 deputetëve të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit. Nuk e kemi për qëllim për ta determinuar se kush e përfaqëson PDK-në në kryesi të Kuvendit, qëllimi i qartë është politik në raport me zhvillimet aktuale politike në qëndrimin e presidentit”, ka thënë Rrustemi.
Ai ka shtuar se deputeti që zgjidhet nga radhët e opozitës për nënkryetar të Kuvendit, sipas tij, duhet të shprehë vullnet për të qëndruar në sallë dhe për të kontribuar në procesin parlamentar.
“Ne e kemi thënë që deputeti i cili zgjedhet për nënkryetar nga opozita do duhej të shprehte vullnetin e mirë për të qëndruar në sallë, për të kontribuuar qoftë me votën kundër apo abstenim”, është shprehur ai.
Rrustemi ka bërë thirrje që PDK-ja të rikthehet në seancë dhe të bëjë propozimin për nënkryetar të Kuvendit.
“Uroj që PDK të rikthehet në seancë, të bëjë propozimin për nënkryetar të Kuvendit, qoftë të përsërisë edhe dy herë të tjera Çitakun, qoftë të kalojë direkt te propozimi tjetër dhe pastaj deputetët ta shprehin vullnetin e tyre”, ka deklaruar Rrustemi./teve1.info/







