Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka shprehur sërish kundërshtimin e tij ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të Kosovës. Gashi thotë se presidenti duhet të jetë figurë që përfaqëson Republikën dhe qëndron mbi interesat partiake.
Përmes një deklarimi, Gashi ka theksuar se presidenti i Kosovës duhet të ketë rol përfaqësues dhe institucional, duke garantuar funksionimin kushtetues dhe balancimin e pushteteve.
“Presidenti duhet të jetë përfaqësues i Republikës, ruajtës i aleancave, balancues i pushteteve, garantues i Kushtetutës dhe Komandant i Përgjithshëm”, ka shkruar Gashi.
Duke përsëritur qëndrimin e tij kundër Bekim Sejdiut, deputeti i LDK-së ka thënë se posti i presidentit nuk duhet të përdoret si shpërblim për interesa politike.
“Presidenca nuk mund të jetë shpërblim politik, aq më pak për vendime që kanë cenuar këto shtylla të demokracisë”, është shprehur ai.
Gashi ka kritikuar edhe partinë fituese të zgjedhjeve, duke thënë se ajo ka përgjegjësi të veçantë për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën politike.
“Fituesi i zgjedhjeve ka përgjegjësinë më të madhe për ta gjetur zgjidhjen, jo për ta mbajtur vendin peng”, ka deklaruar Gashi.
Në fund, ai ka bërë thirrje që partitë politike të ulen dhe të gjejnë një kandidat për president që, sipas tij, përfaqëson interesat e shtetit dhe jo ato partiake.
“Të gjitha partitë duhet të ulen dhe të gjejnë një President që i përfaqëson këto vlera dhe qëndron mbi interesat partiake. Kosovës i duhet kompromis shtetëror, jo nënshtrim politik”, ka përfunduar Gashi.




