Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka zhvilluar të enjten një takim me ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Në fokus të takimit ishin zhvillimet politike në vend dhe procesi i konstituimit të Kuvendit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim ushtruesen e detyrës së ambasadores së SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas PDK-së, gjatë takimit është diskutuar për situatën aktuale politike, nevojën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik dhe institucional.
Hamza ka përsëritur qëndrimin e PDK-së se Kosova ka nevojë për një Kuvend funksional dhe për rikthimin e, siç thuhet, rendit kushtetues dhe demokratik.
Ai ka shprehur shqetësimin për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke kritikuar veprimet e partisë së parë, për të cilat PDK-ja pretendon se kanë shkaktuar shkelje kushtetuese dhe kanë thelluar krizën institucionale.
Sipas Hamzës, bllokada institucionale duhet të marrë fund dhe përgjegjësia për formimin e institucioneve duhet të ushtrohet pa vonesa të mëtejshme, duke respektuar vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe procedurat parlamentare.
Në takim është diskutuar edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me theks të veçantë te rëndësia e partneritetit strategjik dhe vazhdimit të koordinimit me partnerët ndërkombëtarë.
PDK-ja ka theksuar se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet i rëndësishëm për Kosovën dhe se koordinimi me partnerët ndërkombëtarë duhet të vazhdojë.







