Dyert vazhdojnë të jenë të mbyllura, ndonëse viti i ri shkollor ka filluar.
Në vend të nxënësve, brenda objektit të pranishëm janë punëtorë që po kryejnë renovime.
Është kjo shkolla fillore “Lismiri” në Lismir të Fushë Kosovës.
Ani pse me vonesë, drejtori i kësaj shkolle, Uran Tërnava tha për tëvë1 se mësimi pritet të fillojë ditën e hënë.
E orët e humbur, Tërnava në një bisedë telefonike, tha se do të zëvendësohen të shtunave.
Por të kontaktuar nga televizioni, nga Komuna deklaruan se nxënësit ishte paraparë që të barteshin në një shkollë tjetër.
“Sipas vlerësimit të Inspektoratit, objekti i shkollës nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme higjieno-sanitare dhe infrastrukturore për zhvillimin e sigurt të procesit mësimor. Për këtë arsye, me qëllim që nxënësit të mos mbesin jashtë procesit mësimor, komunitetit të prindërve të Lismirit i është ofruar një zgjidhje konkrete dhe e menjëhershme: fillimi i procesit mësimor nga 1 shtatori në ambientet e Gjimnazit ‘Hivzi Sylejmani’ në Fushë-Kosovë”, ka deklaruar drejtori I drejtorisë së arsimit në Komunën e Fushë- Kosovës, Sabri Xhigoli.
Siç bën të ditur Xhigoli, për nxënësit që do ta shfrytëzonin këtë mundësi, ishte paraparë edhe mbulimi i shpenzimeve të transportit nga Komuna.
Mirëpo, nga opozita thonë se prindërit nuk pranuan një gjë të tillë.
Sipas asamblistit të LDK-së në Fushë Kosovë, pushteti lokal u treguan të paaftë, dhe nuk planifikuan punët si duhet.
“Propozimi i parë i Ekzekutivit të Komunës ishte bartja e nxënësve për një periudhë të pacaktuar në Gjimnazin ‘Hivzi Sulejmani’, veprim që do t’i paraprinte edhe mbylljes totale të shkollës. Kjo ngre shqetësime serioze se ky ka qenë qëllimi i Komunës. Sigurisht që renovimet është dashur të planifikoheshin dhe të përfundonin me kohë, në të gjitha shkollat ku ka pasur nevojë, sidomos kur mjetet kanë qenë të planifikuara që nga viti i kaluar”, tha asamblisti I LDK-sënë Komunën e Fushë-Kosovës, Leurat Gojnovci.
Nga Komuna thanë se do të hartohet një plan i veçantë për kompensimin e orëve të humbura.






