Pozita e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është vështirësuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Pasivizimi i adresave, pengesat në qasjen në institucionet publike, mungesa e përfaqësimit proporcional, problemet në arsim, pengesat nëfurnizim me libra në gjuhën shqipe dhe mosnjohja e diplomave tregojnë një politikë sistematike diskriminuese, të cilën Serbia po e zbaton ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Politika të tilla krijojnë presion të vazhdueshëm mbi shqiptarët dhe e bëjnë më të vështirë jetën, punësimin dhe qëndrimin e tyre në vendlindje. Në planin afatgjatë, ky presion rrezikon ta përshpejtojë zbrazjen e këtyre komunave nga popullsia shqiptare.
Pasivizimi i adresave
Sipas të dhënave të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptar, mbi 6,500 shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë prekur nga pasivizimi i adresave, ndërsa mungesa e të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme të ndara sipas përkatësisë etnike e bën të pamundur përcaktimin e saktë të numrit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Youth Initiative for Human Rights, të paktën 3,370 shqiptarë nga Lugina e Preshevës janë larguar nga lista zgjedhore gjatë periudhës së monitoruar nga organizata. Studimi ka ngritur shqetësime serioze edhe për mënyrën e zbatimit të procedurave, për mungesën e informimit të qytetarëve dhe për pasojat që pasivizimi mund të ketë për të drejtën e votës dhe qasjen në shërbime të tjera publike.
Çështja tashmë është ngritur përtej kufijve të Serbisë. Shqipëria e ka ngritur në OSBE, duke kërkuar vëmendje më të madhe ndaj pasojave disproporcionale që kjo praktikë ka ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Institucionet e Kosovës e kanë ngritur çështjen edhe në komunikimet me Bashkimin Evropian, ndërsa ajo ka hyrë edhe në diskutimin politik amerikan.
Kongresisti amerikan Keith Self, i cili ka kërkuar raportim të posaçëm të Departamentit të Shtetit për trajtimin e pakicave në Serbi, e ka përmendur pasivizimin e adresave ndër shqetësimet kryesore lidhur me shqiptarët në Luginën e Preshevës. Gjatë vizitës së tij në Preshevë, në maj të vitit 2026, Self deklaroi se delegacioni amerikan kishte parë se ekzistonin probleme reale në marrëdhënien ndërmjet shqiptarëve dhe institucioneve serbe dhe se vizita kishte për qëllim të merrte një pasqyrë të drejtpërdrejtë të mënyrës se si trajtohen komunitetet pakicë.
Qeveria e Kosovës e ka ngritur vazhdimisht çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në komunikimin e saj me partnerët ndërkombëtarë. Në shkurt 2025, kryeministri Albin Kurti, në një letër zyrtare drejtuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, e radhiti pasivizimin ndër shkeljet sistematike të të drejtave të shqiptarëve dhe kërkoi hetim të pavarur. Në letër, Kurti e lidhi këtë praktikë me një proces më të gjerë margjinalizimi administrativ dhe me atë që e cilësoi si spastrim etnik përmes mjeteve administrative. Çështja u ngrit sërish në maj 2026, në takimin e Kurtit me Kallas, ku ai shprehu shqetësimin për pasivizimin e adresave dhe gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Ndaj, u mbetet institucioneve serbe ta publikojnë numrin e personave të prekur nga pasivizimi i adresave, kriteret mbi të cilat janë marrë vendimet, shpërndarjen sipas komunave dhe pasojat që këto vendime kanë pasur për statusin e qytetarëve.
Tkurrja e përfaqësimit në polici
Me programin e policisë multietnike, përfshirja e shqiptarëve në tri komunat arriti në 239 policë. Sipas të dhënave më të fundit të përmbledhura në një raporttë gushtit të këtij viti, të autorit Alban Alili, ky numër ka rënë në 152, pra, rreth 87 policë më pak, ose një rënie prej mbi 36 për qind.
Edhe më domethënës është fakti se kjo rënie nuk është kompensuar me rekrutime të reja. Gjatë periudhës 2016–2025 janë identifikuar 369 vende të shpallura për strukturat policore që mbulojnë rajonin. Sipas të dhënave të raportuara nga përfaqësuesit shqiptarë dhe burimet lokale të cituara në raport, shqiptarët nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë nga këto vende. Pra, brezi i policëve shqiptarë i krijuar me programin për integrim po zvogëlohet nëpërmjetpensionimit dhe largimeve, pa u zëvendësuar me rekrutime të reja.
Shqiptarët mbeten veçanërisht të nënpërfaqësuar në strukturat drejtuese, në Drejtorinë Policore të Vranjës dhe në policinë kufitare. Kjo është veçanërisht problematike në nivelet ku merren vendimet dhe përcaktohen politikat.
Në komunat ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të madhe të popullsisë dhe ku gjuha shqipe është në përdorim zyrtar, mungesa e përfaqësimit ndikon në komunikimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë, në përdorimin e gjuhës dhe në nivelin e besimit ndaj institucioneve.
Shifrat e policisë dhe të dhënat për pasivizimin tregojnë se modeli i integrimit institucional i ndërtuar pas konfliktit nuk është konsoliduar. Institucionet e Serbisë kanë përgjegjësi të qartë për ta garantuar barazinë.
Arsimi, gjuha dhe diplomat
Shqiptarët në Luginë vazhdojnë të përballen me vështirësi në sigurimin e arsimit të plotë në gjuhën shqipe dhe me probleme në përdorimin dhe sigurimin e teksteve shkollore. Një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë vazhdojnë studimet në Kosovë, por njohja e diplomave dhe procedurat administrative që lidhen me to kanë krijuar pengesa për integrimin e tyre profesional në Serbi.
Serbia dhe Kosova kanë arritur marrëveshje për njohjen e diplomave të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë të të dyja palëve, përfshirë për qëllime punësimi dhe vazhdimi të studimeve. Megjithatë, zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka mbetur i paplotë, ndërsa moszbatimi nga Serbia vazhdon të krijojë pengesa për personat që kanë përfunduar studimet në Kosovë, përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Njohja e diplomave krijon mundësi për punësim në institucionet publike. Por, të rinjtë shqiptarë përballen njëkohësisht me kufizime në arsimin në gjuhën shqipe dhe me pengesa në njohjen e diplomave të fituara në Kosovë. Me kate reduktohet ndjeshëm mundësitë e tyre për punësim në administratë, shëndetësi, drejtësi dhe sektorë të tjerë publikë.
Veprimi ndërkombëtarë
Vëmendja ndërkombëtare është e rëndësishme, por ajo duhet të shoqërohet me mekanizma konkretë monitorimi. Vizitat nga ndërkombëtarët dhe deklaratat e kanë sjellë çështjen në vëmendje, por për shqiptarët në Luginë rëndësi ka nëse kjo vëmendjedo të pasohet me presion konstant për të prodhuar ndryshime konkrete.
Gjendja në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dëshmon një hendek të thellë ndërmjet detyrimeve të Serbisë për garantimin e barazisë dhe të drejtave të pakicave dhe realitetit me të cilin përballen shqiptarët
Për këtë arsye, Serbia duhet t’i përmbushë detyrimet e saj kushtetuese dhe ligjore për garantimin e barazisë dhe të drejtave të shqiptarëve, si dhe të ndërpresë, korrigjojë dhe parandalojë praktikat, të cilat drejtpërdrejt ose tërthorazi, rezultojnë në diskriminim ose në kufizimin e këtyre të drejtave në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të mjaftohet vetëm me shprehjen e shqetësimeve. Ajo duhet të ushtrojë presion konkret mbi autoritetet serbe për respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve dhe për t’i dhënë fund politikave, të cilat nëpërmjet presionit administrativ dhe institucional, po cenojnë të tashmen dhe të ardhmen e tyre.







