Analisti politik Argjend Softolli e ka cilësuar si të habitshëm dhe të pakuptimtë vendimin e Aleancës për të mos marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, e cila pritet të mbahet më 9 shtator.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Softoli ka thënë se qëndrimi i Aleancës është në kundërshtim me thirrjet e saj të mëparshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të tjera.
“Ajo që na ka befasuar është qëndrimi i Aleancës, e cila që një kohë të gjatë ka dalë para Qeverisë dhe Kuvendit dhe ka bërë thirrje për konstituimin e Kuvendit, ndërsa tash e njëjta del dhe deklaron se nuk do të marrë pjesë në seancën e 9 shtatorit. Është shumë e habitshme dhe e pakuptimtë, sepse ky subjekt politik ka vendosur kushte për t’u futur apo për të mos u futur në Qeveri, por e njëjta ka bërë thirrje që të krijohet Kuvendi. Dy ditë para se të ndodhë kjo seancë konstituive, ndonëse me shkelje kushtetuese, e njëjta thërret dhe thotë se nuk do të marrë pjesë. Është pak i habitshëm ky qëndrim, por sido që të jetë, ata i dinë punët e tyre më mirë”, ka deklaruar Softolli.
Sipas tij, Aleanca është ndër subjektet politike të cilave më së shumti do t’u konvenonte konstituimi i Kuvendit dhe funksionalizimi i institucioneve.
“Unë, po të isha kryetar i Aleancës, do të kisha marrë pjesë në seancën konstituive dhe besoj se një nga subjektet politike të cilit më së shumti i konvenon që Kuvendi, por edhe Qeveria, të vazhdojnë punën, është pikërisht Aleanca. Kjo për shkak se është subjekt i vogël politik dhe, si i tillë, duhet t’i konsolidojë radhët e veta në elektoratin e saj. Megjithatë, ky është qëndrimi i saj, ndonëse është një qëndrim befasues. Nuk e di pse, por edhe ajo që e ka thënë Haradinaj, se janë djegur mandatet e deputetëve, nuk ka ndonjë logjikë”, ka theksuar ai.
Softolli ka komentuar edhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar atë si të duhur, pasi sipas tij PDK-ja ka kërkuar vazhdimisht konstituimin e institucioneve.
“Sa i përket qëndrimit të PDK-së, është në rregull, sepse ajo ka kërkuar për një kohë të gjatë që institucionet të konstituohen”, ka thënë Softolli.
Ndërsa, duke folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Softolli ka shprehur kritika ndaj lidershipit të kësaj partie dhe raportit të saj me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Qëndrimet e LDK-së kanë qenë të ditura edhe më herët. Pra, ajo në njëfarë forme është bërë argat i Kurtit që një kohë të gjatë dhe kjo si pasojë e një lidershipi që i është bindur Kurtit. Është fatkeqësi për LDK-në që e ka sjellë veten në këtë pozicion, që Kurti të luajë me të si të dojë”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, megjithëse e konsideruan jashtë aftit kushtetues, dy partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe LDK-ja kanë deklaruar se do të marrin pjesë në seancën e 9 shtatorit.
Kreyetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi të hënën se Kosova duhet të ketë Kuvend të konstituuar, ndërsa tregoi se deputetja, Vlora Çitaku, do të jetë kandidate për nënkryetare të dytë të Kuvendit.
“Ne nuk kemi përgjegjësi pse deri tash nuk është konstituuar Kuvendi. Ne çdo 48 orë kemi qenë në Kuvend”, tha Hamza.
Pjesëmarrjen e LDK-së në seancë e konfirmoi para mediave të hënën deputetja e kësaj partie Jehona Lushaku.
“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj”, tha ajo.
Ndërkaq, Aleanca nuk ka njoftuar ende zyrtarisht se a do të marrin pjesë në seancën e së mërkurës.
Mirëpo, deputeti i kësaj partie, Ramush Haradinaj, deklaroi të hënën në një intervistë televizive “na ka mbaruar mandati si deputet pas tejkalimit të afatit”.
“Unë nuk kam mandat më, të shkoj në një seancë pa mandat kushtetues, nuk lejohet”, tha Haradinaj./teve1.info/








