Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar lidhur me seancën që pritet të mbahet nesër, më 9 shtator, duke thënë se Kuvendi duhet të konstituohet.
Në reagimin e tyre thuhet se skadimi i afatit nuk mund ta shuajë detyrimin kushtetues.
“Afati kushtetues nuk humb rëndësinë e vet pse është shkelur. Shkelja mbetet shkelje, përgjegjësia mbetet përgjegjësi dhe ajo duhet të evidentohet si e tillë. Në një demokraci parlamentare që qeveriset mbi bazat e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, një shkelje e tillë nuk do të kalonte pa pasoja politike por edhe juridike. Sidoqoftë, skadimi i afatit nuk mund ta shuajë detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Përfundimi i afatit nuk mund të nënkuptojë përfundimin e detyrimit për t’i bërë institucionet funksionale”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Ata tutje thonë se, bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, dështimi për ta përfunduar konstituimin brenda afatit kushtetues nuk mund të interpretohet si humbje e legjitimitetit të kësaj legjislature.
“Sipas praktikës së ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe standardeve që vetë kjo Gjykatë ka zhvilluar, dështimi për ta përfunduar konstituimin brenda afatit kushtetues nuk mund të interpretohet automatikisht si humbje e legalitetit apo legjitimitetit të kësaj legjislature për të vazhduar me ushtrimin e kompetencave të saj kushtetuese. Për rrjedhojë, tejkalimi i afatit për konstituim, sado serioze të jetë shkelja që ka ndodhur, nuk e bën vetvetiu juridikisht të pamundur formimin e Qeverisë apo zgjedhjen e Presidentit nga kjo legjislaturë”, thuhet më tej në reagim.
Nga IKD-ja, lidhur me tejkalimin e afatit kushtetues, thanë se shkelja duhet të konstatohet dhe të mos relativizohet.
“Prandaj, dilema sot nuk duhet të shtrohet nëse Kuvendi duhet të konstituohet pasi afati është shkelur. Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja që ka ndodhur duhet të konstatohet dhe të mos relativizohet, por ajo nuk mund të përdoret për të prodhuar një bllokadë të re dhe potencialisht të pakufishme”, shprehen nga IKD.
Tutje, nga IKD-ja kanë thënë se përgjegjësia për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor bie mbi kryesuesin e seancës konstituive dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
“Fakti se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është shkelur nuk është çështje hipotetike. Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit prej 30 ditësh të përcaktuar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Është fakt notor se përgjegjësia për këtë situatë i vie në barrë z. Avni Dehari dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët qëllimshëm përmes veprimeve dhe mosveprimeve pamundësuan konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati, duke vepruar në kundërshtim me detyrimet që burojnë nga Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, thanë ata.
Në përfundim të reagimit të tyre, ata kanë bërë thirrje që Kuvendi duhet të konstituohet, në mënyrë që t’i hapet rrugë krijimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së Presidentit të vendit.







