Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi përballjen e Policisë me kërcënimet e sigurisë dhe grupet kriminale.
Ai në 27-vjetorin e themelimit të institucionit tha se Policia e Kosovës ka dëshmuar se është e gatshme të ballafaqohet më kërcënime e situata të ndryshme.
“Vetëm gjatë viteve të fundit, Policia e Kosovës ka dëshmuar në rrethana jashtëzakonisht të vështira se është e gatshme dhe aftë të përballet me kërcënime të natyrave të ndryshme, përfshirë ballafaqimin me struktura dhe grupe kriminale e terroriste të mbështetura nga aparati shtetëror i Serbisë. Përballë tyre, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë treguar vendosmëri, profesionalizëm dhe guxim, duke mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Sot, Policia e Kosovës është e pranishme në çdo cep të Republikës dhe i shërben çdo qytetari pa dallim”, tha Sveçla.
Ndërsa, ushtruesja në detyrë e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu kujtoi 25 zyrtarët e rënë në detyrë.
“Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, në këtë ditë përkujtimi dhe krenarie nuk mund të flasim për historinë e institucionit tuaj pa u ndalur te çmimi që është paguar për këtë shërbim. Në 27 vjet, 25 zyrtarë policorë kanë rënë në krye të detyrës. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë së Policisë së Kosovës, ata janë pjesë e historisë së Republikës dhe të lirisë që ne e gëzojmë sot. Në mesin e tyre është edhe rreshteri Afrim Bunjaku, i cili më 24 shtator 2023 u vra në Banjë gjatë sulmit terrorist duke mbrojtur Republikën e Kosovës. Ne sot i kujtojmë policët e rënë me dhimbje, por edhe me shumë krenari, sepse sakrifica e tyre na kujton se siguria që shpesh e marrim si të mirëqenë nuk është e tillë”, tha ajo.
Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.







