Avokati i Popullit ka publikuar Raportin Vjetor për Zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025, në të cilin vlerësohet gjendja e mbrojtjes nga diskriminimi në Kosovë dhe sfidat në zbatimin e legjislacionit përkatës.
Sipas raportit, Kosova ka një kornizë ligjore të avancuar dhe në masë të konsiderueshme të harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, por sfidë kryesore mbetet zbatimi efektiv dhe i qëndrueshëm i saj në praktikë.
Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit ka evidentuar raste të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë në fusha të ndryshme, përfshirë punësimin, qasjen në shërbime publike, mbrojtjen sociale, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe barazinë gjinore.
Një nga shqetësimet kryesore të evidentuara në raport është niveli i ulët i zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi nga institucionet publike.
Sipas Avokatit të Popullit, në një numër institucionesh mekanizmat për mbrojtjen nga diskriminimi nuk janë funksionalizuar në mënyrë të mjaftueshme. Po ashtu, mungojnë të dhëna të plota dhe të standardizuara për rastet e diskriminimit, ndërsa obligimet ligjore shpesh mbeten vetëm në nivel formal.
Raporti vëren se pengesat në realizimin e të drejtave nuk lidhen vetëm me veprime individuale, por në disa raste edhe me mënyrën e zbatimit të legjislacionit, politikat dhe praktikat institucionale.
Mungesa e një sistemi të unifikuar për evidentimin dhe raportimin e rasteve të diskriminimit, sipas raportit, e vështirëson krijimin e një pasqyre të plotë për situatën në vend.
Ky është viti i tretë radhazi që Avokati i Popullit i paraqet Kuvendit raport të veçantë për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Megjithatë, dy raportet e mëparshme ende nuk janë shqyrtuar nga Kuvendi i Kosovës.
Avokati i Popullit thekson se kjo kufizon debatin institucional dhe mundësinë për adresimin e rekomandimeve përmes masave konkrete.
Sipas institucionit, raporti duhet të shërbejë si thirrje për veprim dhe përgjegjësi institucionale, me qëllim forcimin e mekanizmave për mbrojtjen nga diskriminimi, rritjen e llogaridhënies dhe sigurimin e zbatimit efektiv të legjislacionit.
Avokati i Popullit rikujton se mbrojtja nga diskriminimi dhe respektimi i parimit të barazisë janë detyrime kushtetuese dhe ligjore, si dhe parakushte për një shoqëri demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.








