Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, tha të dielën se sundimtarët e vendeve myslimane duhet ta njohin atë që ai e quajti “armikun e vërtetë”, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin se janë “armiq të betuar” të unitetit islamik.
“Rekomandimi im i prerë dhe i përsëritur për sundimtarët e vendeve islamike, veçanërisht ato në Azinë Perëndimore dhe përgjatë Gjirit, është të identifikojnë armikun e tyre të vërtetë, të kuptojnë planin e tij dhe ta përballojnë atë”, tha Khamenei në një mesazh me rastin e “Javës së Unitetit Islamik”, sipas transmetuesit shtetëror të Iranit IRIB.
Uniteti midis myslimanëve është thelbësor “për arritjen e qytetërimit të dashur dhe dominues islamik”, deklaroi ai, citon Anadolu.
SHBA-ja dhe Izraeli janë “armiqtë e betuar të këtij uniteti dhe miqësie”, pohoi Khamenei, duke thënë se Uashingtoni dhe Tel Avivi nuk janë vetëm “armiq” të Iranit, por edhe të “të gjithë” botës islamike.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit në fund të shkurtit, duke bërë që Teherani të nisë sulme hakmarrëse ndaj vendeve rajonale që strehojnë asete amerikane.
Irani dhe SHBA-të ranë dakord për një armëpushim në prill dhe më pas nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në qershor që synonte t’i jepte fund konfliktit të tyre ushtarak dhe të arrinte një marrëveshje paqeje të qëndrueshme.
Megjithatë, marrëveshja dështoi muajin e kaluar, me Teheranin dhe Uashingtonin që shkëmbyen sulme për gati dy javë përpara se Presidenti i SHBA-së Donald Trump të ndalonte papritur bombardimet mes raportimeve për bisedime për të zgjidhur konfliktin.









