Të martën është ngritur aktakuza ndaj Fatmir Shehollit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Sheholli akuzohet se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë.
Ai akuzohet për dy vepra penale: “spiunazh” dhe “shantazh”.
Në aktakuzë thuhet se Sheholli i ka dërguar BIA-s informacione dhe dokumente që lidhen , me. sigurinë dhe institucionet e Kosovës.
Prokuroia Speciale thotë se, në telefonin e sekuestruar të Shehollit, është gjetur një fotografi e një dokumenti të quajtur “Top sekret 2”, i shkruar në gjuhën serbe.
Sipas aktakuzës, në këtë dokument përshkruhet një plan që lidhet me ndërtimin e xhamive në Kosovë dhe ndikimin përmes komuniteteve islame.
Aty thuhet se shumica e fondeve të mbledhura nga ambasadat islamike në Beograd do të investohen në ndërtimin e xhamive në Kosovë.
“Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër auto udhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”, thuhet në dokument, sipas aktakuzës”, thuhet nw aktakuzw.
Në dokument pretendohet gjithashtu se qëllimi i këtij plani ishte që, me kalimin e viteve, Kosova të ndryshonte në atë mënyrë që vendet perëndimore të ndryshonin qëndrimin ndaj saj dhe Serbia të mund të rikthente kontrollin mbi Kosovën.
Poshtë në Kosmet (Kosovë) duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perendimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë”, thuhet tutje.
Pikërisht për këto pretendime, veçanërisht për mënyrën se si në dokumente u paraqit Bashkësia Islame e Kosovës dhe myslimanët, ka reaguar të shtunën Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.
Tërnava ka kërkuar që dokumenti të verifikohet në mënyrë të plotë nga institucionet kompetente dhe të sqarohet autenticiteti, burimi dhe qëllimi i tij.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të përmbajtjes së pretenduar të këtij dokumenti. Sipas asaj që është bërë publike, në të Bashkësia Islame e Kosovës paraqitet si një institucion gjoja nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së shtetit serb, ndërsa xhamitë dhe medresetë paraqiten si të ndërtuara apo të financuara nga Serbia, me pretendimin se përmes Bashkësisë Islame të Kosovës synohej shndërrimi i Kosovës në “Kandahar’”, ka deklaruar Tërnava.
Myftiu i Kosovës ka thënë se Bashkësia Islame nuk kërkon trajtim të veçantë, por që pretendimet ndaj saj të vlerësohen mbi bazën e fakteve dhe provave.
“Nuk kërkojmë trajtim të veçantë dhe as mbrojtje nga përgjegjësia institucionale. Kërkojmë vetëm që përballë nesh të qëndrojnë faktet dhe provat dhe që i njëjti standard të zbatohet për të gjithë. Bashkësia Islame e Kosovës nuk kërkon përplasje me askënd dhe nuk dëshiron që kjo çështje të shndërrohet në një tjetër konflikt politik, fetar apo shoqëror. Ne kërkojmë që ajo të trajtohet përmes institucioneve të drejtësisë dhe procedurave të ligjshme”, u shpreh ai.
Ndër të tjerash myftiu Tërnava ka kërkuar gjithashtu ndalimin e fushatave dhe gjuhës që sipas tij, synojnë njollosjen e BIK-ut, xhamive, medreseve, hoxhallarëve dhe drejtuesve të ambienteve që kanë.






