Për shumë qytetarë të Prishtinës, parqet nuk janë vetëm hapësira të gjelbra, por vende ku nisin dhe përfundojnë ditët, ku bëhen kilometrat e ecjes, zhvillohen aktivitetet fizike dhe kërkohet pak qetësi larg zhurmës së kryeqytetit.
Parku i Taukbashqes, ai i Gërmisë dhe i Qytetit janë ndër hapësirat më të frekuentuara nga qytetarët, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe mbrëmjes. Për disa, një shëtitje prej disa kilometrash tashmë është bërë pjesë e rutinës së përditshme, tregojnë qytetarët për KosovaPress.
Rexhep Zeqiri thotë se parkun e viziton çdo ditë, por sipas tij, përkundër mirëmbajtjes së shtigjeve dhe hapësirave të gjelbra, një problem serioz mbeten ujërat e zeza, vlerëson punën e punëtorëve të mirëmbajtjes, e kritikon sjelljen e qytetarëve për hedhjen e mbeturinave.
“Përditë e vizitoj parkun këtu edhe të Gërmisë. Kushtet nuk janë të mira. Ujërat e zeza janë në sipërfaqe. Na mungon një kulturë. Ka shporta çdo 15 metra, nuk i gjuan në shportë, po i gjuan aty 15 metra larg shportës”, thotë Zeçiri.
Edhe për Fatmir Sherifin, parqet janë pjesë e rutinës së tij. Ai tregon se Taukbashqen e viziton çdo të dytën ditë, ndërsa Gërminë edhe më shpesh. Aktiviteti kryesor është ecja, e shoqëruar me ushtrime fizike. Por Sherifi thotë se disa nga pajisjet e vendosura për ushtrime nuk janë në gjendjen e duhur.
“Gjelbërimi edhe natyra është krejt super, por disa mjete që do të na ndihmonin me i bë ushtrimet nuk janë në rregull se janë thyer, janë prishë. Kështu që ka pas nevojë me u bë disa përtëritje të atyre mjeteve”, shprehet ai.
Ndërsa për dizajnerin Valdrin Sahitin, parqet e Prishtinës janë ndër asetet më të vlefshme të kryeqytetit.
“Të them të drejtën mendoj që parku aktual ku jemi dhe parku i Gërmisë mbase mund të them që janë ndër asetet më të vlefshme të kryeqytetit, si nga aspekti i pastërtisë, i qetësisë, i rekreacionit, i gjelbërimit, në mundësitë që i ka qyteti”, thotë Sahiti.
Por krahas vlerësimeve pozitive, qytetarët ngrenë edhe probleme konkrete.
Pranvera Shujaku, e cila thotë se parkun e viziton si në mëngjes ashtu edhe në mbrëmje, ka disa shqetësime që do të donte t’ua përcillte drejtuesve të Komunës së Prishtinës.
“Sikur ta kisha përballë kryetarin e komunës, do t’ia parashtroja dy probleme të cilat i ballafaqojmë çdo ditë këtu kur vijmë ta kalojmë kohën e lirë. Shumë keq, kanali ku rrjedh uji është kundërmues. Mund ta pyesni çdo qytetar që vjen këtu e frekuenton. Është një ndjenjë shumë e keqe. Duhet të bëjnë një zgjidhje. Ulëse nuk ka. Se këtu, sidomos në mëngjes frekuentojnë të moshuarit. Ata kanë nevojë edhe të pushojnë, të ulen, kanë nevojë për ulëse, kanë nevojë për shporta. Shportat janë veç në këtë rrugën, kurse në anën tjetër të stazës mungojnë ulëset, shportat për mbeturina, edhe problemi i kanalit që kundërmon. Këto janë probleme të cilat kërkojnë zgjidhje”, thotë Shujaku.
Në anën tjetër, Ramize Vllasaliu, e cila parkun e viziton çdo ditë, ka një vlerësim më pozitiv. Për të, ecja, ushtrimet dhe një kafe me shoqëri janë pjesë e ditës.
“Më së shumti ecje në rreth, në stazë, pastaj të vijnë ushtrimet. Pimë ndonjë kafe edhe shkojmë. Shumë mirë e mbajnë parkun, është i pastër, çdo send është në rregull”, thotë ajo.
Një tjetër qytetar Mentor Dibrani që e viziton rregullisht parkun vlerëson po ashtu punën e mirëmbajtjes. Ai thotë se, sa herë që ka kohë të lirë, vjen në park dhe e sheh atë të pastër, ndërsa veçon punën e ndërmarrjes komunale në mirëmbajtjen e hapësirave dhe tualeteve.
“Parkun një herë në javë e vizitoj këtu, kur kam ndonjë kohë të lirë. Mua më duket që e mbajnë pastër, i mbajnë tualetet, e mbajnë parkun. Po i shoh ndërmarrjen komunale që po i pastrojnë”, thotë ai.
Në një kryeqytet gjithnjë e më të ngarkuar, parqet mbeten ndër hapësirat e pakta ku qytetarët mund të ecin, të ushtrojnë dhe të marrin frymë pak më lirshëm.
Por qytetarët thonë se ruajtja e tyre nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve. Mirëmbajtja e shtigjeve, zgjidhja e problemeve me ujërat dhe vendosja e pajisjeve e ulëseve të reja kërkojnë ndërhyrje institucionale, ndërsa pastërtia dhe ruajtja e pajisjeve kërkojnë edhe më shumë kujdes nga vetë qytetarët.







