Dy ligjvënës amerikanë nga të dyja partitë, republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating, kanë rritur presionin ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke kërkuar përmbushjen e kërkesave kundër korrupsionit dhe shkëputjen e lidhjeve me kundërshtarët e SHBA-së.
Wilson dhe Keating, anëtarë të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kanë prezantuar një projektligj që parashikon sanksione dhe ndalime vizash për individët që minojnë proceset demokratike, paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial në Ballkanin Perëndimor.
Wilson ka kritikuar ashpër presidentin serb, duke thënë se nën drejtimin e tij Serbia është larguar nga sundimi i ligjit dhe është afruar me Rusinë, Kinën dhe Iranin.
“Pavarësisht protestave të gjera kundër korrupsionit, qeveria e Vuçiqit kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë. Populli i Serbisë meriton më mirë”, ka deklaruar Wilson.
Projektligji mbështet protestat studentore kundër korrupsionit në Serbi dhe kërkon hetim e përgjegjësi për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku në nëntor të vitit 2024 humbën jetën 16 persona pas shembjes së një pjese të çatisë.
Ligjvënësit amerikanë kërkojnë gjithashtu që Beogradi të bëjë përparim në luftën kundër korrupsionit, reformën e sundimit të ligjit dhe të forcojë lirinë e mediave dhe të tubimit.
“Nisma vjen në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara në Serbi. Vuçiq ka deklaruar se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale mund të mbahen më 18 ose 25 tetor, ndërsa ekzistojnë shqetësime nëse ato do të jenë të lira dhe të drejta”, raporton The Hill, transmeton RTK.










