Janë bërë gati dy javë që deputetët e PDK-së, të shoqëruar edhe nga ata të Aleancës, shkojnë pothuajse çdo mëngjes për ta pritur kryeministrin në detyrë, Albin Kurti të hyjë në godinën e ekzekutivit, me kërkesën që ai të vijë në Kuvend dhe ta vazhdojë seancën konstitutive të parlamentit, e cila, me kërkesë të vetë Kurtit, është shtyrë, në ditën u betuan deputetët.
Asnjëherë nuk e kanë takuar, megjithatë.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, u pyet, të enjten, gjatë një konference për shtyp, pse kjo parti nuk e shfrytëzoi rastin, një natë më parë, për të shkuar të Kurti e për t’ia bërë kërkesat e shprehura në mbledhitë mëngjesore para qeverisë.
Gruda tha se nuk e kanë ndërmend ta ndjekin Kurtin, pasi e dinë vendndodhjen e tij, ndërsa tha se aksionet para qeverisë që po i bëjnë tash e sa ditë, janë veprime politike.
Gruda: S’e kemi ndërmend ta ndjekim Kurtin, s’e ka marrë malli kurrkënd për të
“Ne ta ndjekim Albin Kurtin s’e kemi ndërmend. Nuk është ideja ta ndjekim atë kudo që shkon. Ky është një aksion politik, ne shprehim një bindje politike. Ne e dimë ku është Albin Kurti, është në Kosovë, është në institucione dhe e dimë ku është, herë në qeveri, herë këtu. Nuk është esenca ta kemi një takim fizik me Albin Kurtin, s’e ka marrë malli askënd për Albin Kurtin. Esenca është që ne po bëjmë një aksion politik, një veprim politik për t’i treguar njerëzve që në këtë vend po tentohet të suprimohet rendi kushtetues dhe ky rend të zëvendësohet nga partia në pushtet, Vetëvendosja në këtë rast”, tha Gruda, raporton KosovaPress.
Gruda foli edhe për takimin VV-LDK në lidhje me çështjen e presidentit, me ç’rast tha se qëndrimi i PDK-së nuk ndryshon dhe se në këtë parti e dinë që Kurti s’e ka ndërmend ta zgjidh krizën në Kosovë.
Gruda: Qëndrimi i PDK-së për presidentin s’ndryshon, s’marrim pjesë në teatër politik
“Ne jemi deklaruar që jemi parti në opozitë, prandaj nuk jemi pjesë e dialogut për ta zgjedhur një president. Ky qëndrim i PDK-së nuk ndryshon, pavarësisht çka zhvillojnë partitë e tjera si proces, ne e kemi caktuar pozicionin tonë, jemi në opozitë, sepse kemi besuar pasi kemi marrë pjesë në takim me Kurtin se ai nuk e ka ndërmend ta zgjidh krizën në Kosovë, prandaj nuk marrim pjesë në këtë teatër politik”, tha Gruda.









