Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Miro Kovaç, ka deklaruar se vendi i tij duhet të forcojë edhe më tepër kapacitetet e saja mbrojtëse, nëse informacionet se Serbia posedon armatim ofensiv janë të sakta.
Duke folur për N1 rreth përplasjes verbale ndërmjet kryetarit të Parlamentit të shtetit të tij, Gordan Jandrokoviq, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kovaç tha se institucionet kroate kanë informacione për armatimin e Serbisë.
“Gordan Jandrokoviq tha atë që para tij e kanë thënë Ivan Anushiq dhe vetë presidenti i Republikës, gjatë samitit të NATO-s në Stamboll”, deklaroi Kovaç, duke iu referuar pretendimeve se Serbia nuk po furnizohet vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me aso ofensive.
Sipas tij, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht harmonizim të qëndrimeve ndërmjet forcave të ndryshme politike në Kroaci, por tregon se institucionet e sigurisë kanë informacione lidhur me këtë çështje.
“Është e qartë se shërbimet tona kanë informacione, të cilat janë sekrete, se Serbia ka armë ofensive. Nëse është kështu, dhe unë u besoj institucioneve tona, atëherë ne në Kroaci nuk duhet të ankohemi”, tha ai, raporton N1, transmeton KosovaPress.
Kovaç shtoi se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë të informuara për kapacitetet ushtarake të Serbisë.
“Amerikanët nuk e dinë këtë? Ata dinë gjithçka. Edhe gjermanët e dinë. E dinë se Serbia ka industri serioze ushtarake”, u shpreh ai.
Ish-shefi i diplomacisë kroate përmendi edhe furnizimin e Ukrainës me armatim, duke pretenduar se Serbia prej vitesh eksporton armë drejt këtij vendi përmes shteteve të treta.
Sipas Kovaçit, Kroacia duhet të ndjekë shembullin e aleatëve të saj kryesorë dhe të synojë forcimin e kapaciteteve të veta të mbrojtjes.
“Nëse Serbia po e bën këtë dhe aleatët tanë e dinë, atëherë edhe ne duhet të armatosemi. Nuk mjafton vetëm të paralajmërojmë”, deklaroi ai.
Kovaç tha se Kroacia nuk dëshiron një fqinj që, sipas tij, kërcënon dhe përdor retorikë për “traktorë” dhe “pjesën e dytë”.
“Mësimi është se, me sa duket, edhe ne duhet të armatosemi. Nuk ka vend për ankesa; duhet të jemi të përgatitur dhe vigjilentë”, përfundoi Kovaç.
Komentet e tij pasojnë ato të presidentit të Serbisë, Vuçiq, i cili, të martën i reagoi kryetarit të Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, që tha, po këtë ditë, se Serbia po furnizohet jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armatim ofensiv, dhe se për këtë duhet të informohen aleatët perëndimorë të Kroacisë.
“Ja, nuk jemi të gjallë, nuk e di si do të flemë sonte”, tha me ironi Vuciq, kur u pyet nga gazetarët në lidhje me ato që tha krye parlamentari kroat, sipas N1.
Më pas ai deklaroi se politikanët nga Zagrebi mendojnë se jetojnë në një kohë të kaluar, duke shtuar se “ka kaluar koha që me ndonjë ambasador mbi tank të dëbojnë njerëzit”, duke aluduar në aksionin Oluja të vitit 1995, kur ushtria kroate mori nën kontroll zonën e Kninit, deri atëherë të menaxhuar nga serbët.
Ai gjithashtu u tha politikanëve kroatë se do të ishte më mirë ta ndiqnin atë për të parë “se si udhëhiqet politika” dhe se si Serbia po zvogëlon diferencën që, sipas tij, për një kohë të gjatë kishte qenë në favor të Kroacisë.









