Glauk Konjufca do të paraqitet sot para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në kuadër të rigjykimit për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës pritet të marrë pjesë në seancën e cila nis në orën 09:30.
Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur Konjufcën të pafajshëm për akuzën për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, duke vlerësuar se nuk ishte provuar kryerja e veprës penale. Ndërsa për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, gjykata kishte konstatuar se kishte arritur parashkrimi.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte prishur këtë vendim dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Konjufcës më 3 shkurt 2017, duke e ngarkuar me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, më 10 gusht 2016, gjatë një seance në sallën e Kuvendit të Kosovës, Konjufca, në cilësinë e deputetit, dyshohet se kishte përdorur gaz lotsjellës, në kundërshtim me ligjin.
Në aktakuzë thuhet se si pasojë e gazit, salla ishte mbushur me tym, duke pamundësuar qëndrimin e pjesëmarrësve dhe duke i detyruar ata të largoheshin nga hapësira e Kuvendit.







