Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar Ismet Jasharin, i njohur si Komandant “Kumanova”, në 28-vjetorin e rënies së tij, së bashku me bashkëluftëtarët Habib Zogaj dhe Nuhi Mazreku.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka vlerësuar figurën e Jasharit, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbol të guximit e vendosmërisë.
Sipas Haxhiut, Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij ranë në betejën e Luzhnicës, teksa po përpiqeshin të tërhiqnin trupat e bashkëluftëtarëve Afrim Buçaj dhe Gani Kastrati, të cilët kishin rënë një ditë më parë.
“Ismet Jashari, Komandant ‘Kumanova’, mbetet një nga figurat më të shquara dhe më të nderuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, simbol i guximit dhe vendosmërisë së pathyeshme”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se 28 vjet pas rënies së tyre, liria e Kosovës mbart edhe sakrificën e atyre që ranë për të.
Në këtë përvjetor, Haxhiu ka përkujtuar edhe dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, e cila pas rënies së Ismet Jasharit mori emrin e Komandant “Kumanovës”.
“Lavdi Komandant ‘Kumanovës’ dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka përfunduar ajo.







