Ditën e nisën para zyreve të Korporatës Energjetike të Kosovës.
E bashkë me vete morën edhe disa banerë.
Me t’u mbledhur tok, filluan edhe t’i vendosin.
Janë këta punëtorët e kësaj Koorporate, të cilët përmes këtij aksioni këtë të martë, kërkuan rritje të sigurisë në punë.
Kjo meqë, ditë më parë, një koleg i tyre vdiq gjersa ishte duke punuar.
E vetëm përgjatë vitit, deri tani, jetën në vendpunishten e KEK-ut e humbën edhe tre punëtorë të tjerë.
Për Sindikatën e re të KEK-ut, këto raste duhet të shërbejnë si alarm për institucionet.
“Dje, me vendim të Kryesisë dhe të Këshillit ekzekutiv të Sindikatës së re, këta punëtorë, Migjen Sadikun, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin, Sindikata e re i shpall hero të punës, me mirënjohje post mortum. Kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës, nga Koorporata Energjetike e Kosovës, të respektohet Ligji i punës. Sepse pa respektimin e Ligjit të punës, punëtori e humb të drejtën me punu dhe me jetu. Ndoshta me një menaxhim më të mirë, me një siguri më të madhe, sot ata do të ishin në mesin tonë”, u shpreh kryetari i kësaj Sindikate, Xhelal Jashari.
Për sindikalistët, siguria nuk duhet të diskutohet vetëm pasi të ketë raste vdekjesh.
“Me vendimin e Kryesisë do të shkojmë dhe ta bëjmë një simbolikë të ngjashme te Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, përkatësisht kryetari i vetëquajtur, i cili asnjëherë nuk e ngriti zanin për asnjë punëtor. Kryetari i punëtorëve nuk flet për punëtorët. Paramendo, kjo tregon qartë se sa aktiv është kryetari i BSBK-së bashkë me BSBK-në e vetëquajtur”, deklaroi Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindiakatës së re të KEK-ut.
Me të njëjtat kërkesa, Sindikata e Re e KEK-ut paralajmëroi se të mërkurën do të mbajë edhe protestë, duke filluar nga ora 08:00.






