Një person i armatosur me shpatë ka plagosur disa njerëz në një shkollë në Fagersta, në Suedinë qendrore, njoftuan autoritetet të premten.
“Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe një person është ndaluar,” thuhet në një deklaratë të policisë.
Autoritetet nuk saktësuan se sa persona mbetën të plagosur gjatë sulmit.
“Policia po vijon punën në vendngjarje me burime të ndryshme. U kërkohet qytetarëve të respektojnë pikat e bllokimit dhe të ndjekin udhëzimet e policisë,” thuhet në deklaratën e policisë.
Policia u thirr në Brinellskola, një shkollë e mesme në Fagersta, rreth orës 14:00.
Transmetuesi publik SVT raportoi se jashtë shkollës ndodheshin ambulanca, makina policie dhe një helikopter policie.
Bashkia njoftoi se shkollat e tjera në zonë ishin vënë në gjendje izolimi.
Ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se qeveria ishte në kontakt të ngushtë me policinë pas sulmit.
“Jemi informuar për një incident serioz në Fagersta. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për rastin,” tha Strommer.
Fagersta, me rreth 12,000 banorë, ndodhet rreth 170 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit, Stokholm.











