Një mesazh i njëjtë iu erdhi mesditën e së mërkurës shumë përdoruesve të aplikacionit “Viber” në Kosovë.
Përmes tij, qytetarët u ftuan të bëhen pjesë një grupi investimesh.
Në të thuhet se me klikimin në këtë link, mund të përfitojnë mundësi të mira në tregun e kripto-valutave.
Por, ky mesazh e aktivizoi edhe Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).
Këta të fundit bën thirrje që të shmangen klikimet në këto mesazhe të dyshimta.
“Ruani me kujdes të dhënat e kartelës suaj dhe mos i ndani kurrë ato përmes e-mailit, SMS-it apo telefonit me persona të paautorizuar; Mos hapni lidhje të dyshimta dhe mos klikoni në mesazhe që kërkojnë veprim të menjëhershëm; Mos kryeni pagesa dhe mos vendosni të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara në SMS; Përdorni vetëm faqet zyrtare dhe aplikacionet e verifikuara të bankave dhe shmangni regjistrimin e të dhënave të kartelës në platforma të pasigurta; Aktivizoni njoftimet me SMS ose aplikacion për çdo transaksion dhe kontrolloni rregullisht historinë e pagesave dhe transferave; dhe Raportoni menjëherë çdo mesazh të dyshimtë te banka ose institucioni juaj financiar”, thuhet nga BQK.
E këta persona, sipas ekspertit të kibernetikës, Valon Tahiri, përmes këtyre mesazheve e synojnë llogarinë bankare të qytetarëve.
“Këto lloj linqe zakonisht lidhen me lloj të sulmit kibernetik që është shmishing, pra të lajthit për të investuar në krypto në këtë rast, apo edhe blerjen e disa apo pagesave të ndryshme që duhet bërë. Pra, në këtë rast, ka të bëjë me një link në krypto, pra është një grup Viber, ku posaçërisht munden me lyp të dhëna bankare, apo gjëra të tilla personale, por një, në asnjë rast nuk mundemi me ia ofruar të dhënat, sidomos një kontakti që ne nuk i besojmë. Gjatë kësaj mund të verifikoni se kush është dërguesi, pra a mund të jetë një bankë apo dikush tjetër, por në asnjë rast mos ja ofroni kredencialet ose edhe të dhënat bankare që mund të keqpërdoren nga këta hacker”, thotë ai.
Sipas Tahirit, për ruajtjen e të dhënave bankare dhe atyre personale, nevojiten më shumë fushata vetëdijesuese.
“Është tejet shumë e rëndësishme për shkak se deri më tash ka filluar shumë pak kampanja për vetëdijsim. Më herët gjatë këtyre, gjatë këtij viti ka pasur shumë sulme të tilla dhe ka pasur mungesë të këtyre kampanjave. Besoj që është, është koha e domosdoshme që me fillim me vetëdijsuar qytetarët për shkak që është mundet me u targetuar në disa mosha të caktuara ose grupe që nuk, nuk janë në dijeni se si për burimin”, shprehet Tahiri.
Ndryshe, për kujdes të shtuar në lidhje me mesazhet e dyshimta, thirrje ka bërë edhe Policia e Kosovës.






