Njëra veturë kalon në të majtë.
Tjetra mundohet t’i shmang gropat në anën tjetër.
Është kjo gjendja e krijuar në rrugën që lidh Uglarën me Bresjen në Fushë-Kosovë.
Vështirësi në qarkullim po u shkakton vetë vozitësve.
“…nuk është e mirë hiç po s’po kemi qare. Gjithëherë knej i bijmë, anej me i ra shumë kallabllak”, thotë qytetari Xhevdet Canolli.
“Shumë vështirë, shumë keq. Për mu hera e parë që po i bi knej, po keq shumë”, shprehet qytetari tjetër Mithat Berisha.
Ka edhe nga ata qytetarë që këtë segment e kalojnë disa herë gjatë ditës.
“Knej kaloj ka 10-20 herë n’ditë. Ankesa jeme si qytetar është që kryetari i Fushë-Kosovës të dal t’i ndreqin rrugët”, deklaron qytetari Isa Zeqiri.
Por kur pritet të rregullohet kjo rrugë?
“E kemi një marrëveshje na me Komunën e Graqanicës dhe me Ministrinë e Infrastrukturës ku procedurat për rregullimin e kësaj rruge i merr Komuna e Fushë Kosovës, projekti është 1.1 milionë euro prej Ministrisë edhe pjesën tjetër e participojmë na si Komunë edhe Komuna e Graqanicës. Po besojmë që deri në fund të javës shpallet tenderi për rregullimin e kësaj rruge”, bën të ditur kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza.
Prebreza tutje tha se nëse procedurat përfundojnë sipas afateve, punimet pritet të nisin brenda dy muajsh.
“Sipas rregullave, brenda 2 muajsh ish dashtë me fillu, nëqoftëse mbetet, shembull, 40 ditë procedura e hapur, mandej vlerësimi, por prapë brenda 2 muajvsh ish dasht me fillu dhe njoftoj qe kemi me pas njoftim të dizajnit edhe kyçje në rrugën M9, dmth i kemi bërë disa përmirësime aty”, u shpreh ai.
Disa pjesë të kësaj rruge në Fushë Kosovë, janë asfaltuar muaj më parë, por gjendja e tyre përsëri është përkeqësuar.
Marrëveshja e bashkëpunimit mes Komunës së Fushë Kosovës dhe asaj të Graçanicës për realizimin e projektit të rregullimit të rrugës së Uglarit, ishte nënshkruar tre muaj më parë.
Asokohe ishte thënë që procedurat për realizimin e projektit do të nisin së shpejti.






