Analisti Fatmir Çollaku ka komentuar ideologjinë e Serbisë ndaj Kosovës, duke thënë se pretendimet e Beogradit për Kosovën kanë rrënjë të thella historike dhe vazhdojnë të jenë të pranishme në mendësinë e shoqërisë serbe.
Sipas Çollakut, ideja se Kosova është pjesë e Serbisë është e ngulitur jo vetëm te qytetarët e zakonshëm, por edhe te intelektualët serbë.
“Ideologjia e Serbisë ndaj Kosovës i ka rrënjët që nga Vidovdani, nga viti 1389. Populli, si bujku ashtu edhe intelektuali, mendon njësoj për Kosovën. Është e ngulitur në mendjet e tyre se Kosova është pjesë e tyre”, ka deklaruar Çollaku në emisionin “Infonata” në Tëvë1.
Ai ka vlerësuar se Serbia nuk ka më mundësi të rikthehet në Kosovë, ndërsa ka kritikuar qasjen e Evropës ndaj Beogradit, duke pretenduar se Serbia është trajtuar më butë sesa Kosova.
“Nuk ka gjasa që Serbia të kthehet më në Kosovë. Evropa e ka përkëdhelur Serbinë, ndryshe nga Kosova. Evropa do të humbasë nëse vazhdon ta përkrahë Serbinë, e cila është aleate e Rusisë”, ka thënë Çollaku.







