Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku e kanë vlerësuar konstruktiv takimin e zhvilluar për presidentin, ku siç thanë ata është shprehur vullnet që të arrihet një marrëveshje.
I pari që foli pas takimit që zgjati më shumë se dy orë, ka qenë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti tha se pa një vullnet te LDK për të arritur marrëveshje për presidentin.
“E pash vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri. Që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, të sigurojmë funksione demokratike të shtetit”, tha Kurti pas takimit me Abdixhikun.
Ai ka thënë se kanë shqyrtuar kriteret për presidentin gjatë diskutimeve.
Por, Kurti ka bërë të ditur se do të takohen përsëri me Abdixhikun, pas takimeve të brendshme që do t’i zhvillojnë të dy palët.
“Është vendim tepër i rëndësishëm dhe i ndjeshëm dhe normal pas këtij takimi është e nevojshme të kthehemi tek subjektet tona përkatëse politike, në mënyrë që të zhvillojmë konsultime të brendshme të ritakohemi që të merremi vesh”, u shpreh Kurti, raporton teve1.info.
Siç u shpreh kryeministri në detyrë, ka optimizëm,pasi sipas tij ka mirëbesim e vullnet nga dy palët.
Me vullnet për marrëveshje pas takimit doli edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai poashtu tha se do të ketë diskutime të brendshme për figurën e presidentit, për të cilën i diskutua sot.
Ndonëse në këtë takim siç tha ai, nuk u fol për emra konkret, në të radhës që pritet të mbahet pas diskutimeve që do të zhvillohen brenda dy partive, do shkohet me emra konkret për presidentin.
“Nuk duam një president të parëndësishëm, por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative me shoqërinë, secili në mënyrën e vet, para se të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm. E di që fokusi është për emra specifikë, për këtë na duhet ende kohë. E mira është se gjërat janë shumë më të qarta, kërkojmë vetëm stabilitet institucional. U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme, por në fund të ketë një emër”, ka përfunduar Abdixhiku.







